E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, burg përjetë për vrasjen e gruas shtatzënë me dy binjakë

FIER - Gjykata e Rrethit të Fierit dënoi të hënën me burg të përjetshëm kryefamiljarin që gati një vit më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij shtatzënë me dy binjakë. Trupi gjykues, i kryesuar nga Andi Civici, vendosi dënimin maksimal ndaj shtetasit Pajtim Abazi (Duraj), i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj gruas shtatzënë”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “prishje e qetësisë publike”. Të njëjtën masë dënimi kërkoi gjatë pretencës edhe prokurori i çështjes, Çlirim Sino. Përkundër kësaj, avokatja e të pandehurit, Rita Hasa, kërkoi ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “vrasje në rrethana të tjera cilësuese të gruas shtatzënë” në veprën penale “plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen”. Po ashtu, avokatja Hasa kërkoi që klienti i saj të shpallej i pafajshëm për akuzën “prishje e qetësisë publike”. Ngjarja për të cilën u dënua Abazi, banues në fshatin Fermë Çlirim, ndodhi më 9 mars të vitit 2007. Në grindje e sipër me bashkëshorten e tij Matilda Haxhiu, shtatzënë në muajin e tetë, ai e qëlloi atë për vdekje. Nga hetimet rezultoi se grindjet mes bashkëshortëve kishin nisur në Itali, ku ata jetonin si emigrantë. Për shkak të konflikteve të vazhdueshme, gruaja shtatzënë ishte kthyer nga shteti fqinj dy muaj para se të ndodhte ngjarja, ndërsa bashkëshorti vrasës u kthye një javë para se të kryente krimin.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›