Aksidenti rrezikon jetën e drejtuesit të mjetit
13/03/2005 ELBASAN- Aksidenti i njëpasnjëshëm, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një personi, ndërsa kanë mbetur të plagosur disa të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në orën 01.20 minuta pas mesnate, kur mjeti tip kamionçinë me targa EL 5206 B, i drejtuar nga shtetasi Albert Trimi, 37 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Çlirimi" të qytetit të Elbasanit, është përplasur me mjetin vinç me targa EL 9591 A, i cili po nxirrte nga uji një fuoristradë me targa të Tiranës, që kishte rënë në buzë të Shkumbinit, pak kohë më parë. Mësohet se drejtuesi i automjetit të parë ka humbur kontrollin, duke manovruar keq, ndërsa janë gjendur të aksidentuar një efektiv i policisë së Librazhdit, dy drejtuesit e automjeteve dhe një ndihmës i rastësishëm i vinçierit. Të aksidentuarit janë Albert Trimi, 37 vjeç, drejtues i automjetit, Ylli Cengo, efektiv i linjave, Selaudin Qosja, 30 vjeç, ndihmës i vinçierit dhe drejtuesi i fuoristradës, që kishte përfunduar në lum, Drini Nushi, 30 vjeç, banues në Tiranë. Mësohet se ky i fundit është transportuar urgjentisht në spitalin kirurgjik të Tiranës, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë të dëmtuarit e tjerë të këtij aksidenti janë mjekuar pranë spitalit të Elbasanit dhe ndodhen në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetën. Nuk janë zbardhur ende nga policia shkaqet që sollën këtë aksident, por mësohet se ngrica e ditëve të fundit ka sjellë edhe rrëshqitjen e automjeteve, duke shkaktuar daljen e automjetit të parë, ndërsa i dyti ka ardhur për shkak të mungesës së sigurimit teknik në rrugë.