E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emigranti shqiptar "mund" gjykatën angleze

13/03/2005  Gjykata e Lartë në Londër dëshpërblen me 6.000 paund, Adriano Dulen. E deportuan jo ligjërisht

Bashkëshortja angleze: “Nuk u martova që Adriano të qëndronte këtu”

Nga TAHIRA YAQOOB

Daily Mail

Një shqiptar "mashtrues", i cili përdori identitet të rremë për të kërkuar azil, është shpërblyer me 6.000 paund kompensim nga qeveria britanike mbi tentativat e deportimit. Adriano Dule, 22 vjeç, deklaroi se ishte nga Kosova, atëherë një zonë lufte, kur mbërriti në Britaninë e Madhe, para pesë vitesh. I gjithë procesi fals i azilit si dhe disa procese apeluese, përfshi një gjyq në Gjykatën e Lartë angleze “High Court”, u pagua nga paratë e taksapaguesve, që arrin në disa mijëra paund. Ai kërkoi azil dy herë. Por, kur Ministria e Brendshme “Home Office” tentoi të bëjë deportimin e tij, ai pretendoi se është trajtuar padrejtësisht dhe për këtë fitoi të drejtën e kompensimit. Autoritetet e emigracionit thonë se janë të pafuqishme të deportojnë Dulen, pasi ai është martuar me një shtetase angleze, e quajtur Michelle Franks.

Emigranti

Dule, që për herë të parë mbërriti në Angli në vitin 1999, pretendonte të ishte shqiptar nga Kosova, duke u vetëquajtur Skënder Ymeri, i cili ishte larguar nga rajoni i tensionuar që gjendej në luftë. Autoritet e emigracionit dështuan të kuptonin se dokumentet e paraqituara nga ai ishin fals. Kur aplikimi i Dules për azilin, nën emrin e Skënder Ymerit u refuzua, ai menjëherë apeloi vendimin. Gjyqi i parë i Apelit i refuzohet në gusht të vitit 2001, por, ai ndërmori një Apel të dytë. E ndërsa gjykata merrej me këtë çështje, ai ishte në Shqipëri. Por pretendonte se ai vuante nga trauma të ndryshme dhe kishte probleme me shëndetin. Me paratë e taksapaguesve iu pagua bileta e avionit dhe u soll sërish në Angli. Më pas, ai është shpërblyer me 6.000 paund nga Shërbimi i Emigracionit (Emigration Service), sepse cilido azilant që apelon çështjen në gjykatë, ka të drejtën e të qëndruarit në Britaninë e Madhe, përderisa çështja të mbërrijë në gjykatë. Apeli i dytë i emigrantit është refuzuar në maj të vitit 2002, por ai apeloi përsëri. Por, kur atij i është treguar pas dy vjetëve se nuk ka të drejtën e Apelit për të tretën herë dhe se ai mund të deportohej, Dule me shpejtësi tha se po planifikonte të martohej me zonjën Franks, 40 vjeçe. Policia, e cila kishte dyshime në lidhje me martesën, ndërmori një kontroll në shtëpinë e zonjës Franks, në Colcester, nga ku gjetën disa dokumente që kishin të bënin në lidhje me identitetin e Dules. Kur policia e ka patur të pamundur vërtetimin se martesa ishte kryer me qëllim final, vazhdimin së qëndruari të Dules në Britaninë e Madhe, ai ligjërisht tani ka të drejtën për të aplikuar për leje qëndrimi përgjithmonë në vend. Në muajin shkurt, ai u paraqit përpara gjykatës magjistrale në Colcester me akuza për mashtrim. Çështja është shtyrë për në ditët e ardhshme të këtij muaji, kur atij do t'i lexohet dënimi, ndërkohë që ai është në gjendje të lirë. Ai mund të dënohet me gjobë apo me gjashtë muaj burgim. Në gjykatë, Dule, i cili pranoi se me anë të mashtrimit ka hyrë dy herë në Angli dhe ka përdorur një certifikatë false, buzëqeshi pasi iu tregua se "Home Office" nuk mund ta deportojë, ndërkohë që po shqyrton çështjen e qëndrimit të tij përgjithomë si bashkëshort i një shtetasje britanike. Avokatja e tij, Anna Perdeportedera tha: ”Ai ishte një djalë 17 vjeç kur mbërriti në Angli dhe bisedoi me disa bashkëkombas të tij. Ata i treguan Dules: ”Nëse thoni se jeni shqiptarë, nuk do të lejoheni të qëndroni. Ai gënjeu njëherë dhe ishte e pamundur të ndalonte së gënjyeri sërish”. Ndërsa bashkëshortja e shqiptarit u shpreh: “Për herë të parë u takuam kur kishim dalë për jetë nate së bashku me motrën time. Ne, sigurisht, nuk u martuam që ai të qëndronte këtu. Ne patëm një ceremoni martese shumë të bukur. Ne nuk i kemi treguar fotot e martesës, pasi janë çështje personale. Adriano është një person që respekton shumë privatinë e tij. Pavarësisht, ne na është garantuar kompensimi ende nuk kemi parë asnjë monedhë të na mbërrijë në shtëpi. Dje zëdhënësi i Partisë Konservatore Angleze për çështjet e brendshme, David Davis tha: ”Sistemi ynë i azilit dhe emigracionit është i pacipë, duke përdorur 2 bilionë paund para të taksapaguesve”. Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme "Home Office" tha: ”Ne nuk mund të bëjmë komente në çështje të veçanta”.

Reagimi i gazetës kundër gjykatës

Vendimi i një gjykatësi të lartë anglez, në favor të një emigranti shqiptar, është bërë objekt debati, me tone të qarta, plotëshisht të dallueshme anti-emigrantësh në faqet e një gazete britanike. "Daily Mail" gazeta ultra e djathtë, mbështetëse e flaktë e Partisë Konservatore angleze, tashmë pozicionuar haptas kundra prezencës së të huajve në Britaninë e Madhe, ka komentuar gjatë vendimin për dëmshpërblimin me 6.000 paund të emigrantit shqiptar. Me të drejtë, pas një shkelje të procedurave nga autoritetet e emigracionit, gjykatësi mbërriti në vendimin e tij, i cili nuk i ka pëlqyer aspak ekstremistëve të "Daily Mail". Sido që të jetë çështja, vendimi është marrë nga organi më i lartë gjyqësor në Britaninë e Madhe “High Court” (gjykata e lartë), për të cilin gazeta nuk ka patur fuqi ta ndryshojë, siç mund të kishte dëshiruar. Në të tilla pozita, “sulmi” hakmarrës ndaj shqiptarit Adriano Dule është përqendruar në të kaluarën e tij, duke zbuluar se ai ka gënjyer autoritetet e emigracionit kur ka mbërritur në Angli. Një fakt aspak i ri për t'u habitur, që është ndërmarrë nga i riu shqiptar për një jetë më të mirë, njësoj siç e bëri edhe babai i liderit konservator Michael Haward që mbështetet nga "Daily Mail", i cili ka pranuar publikisht se babai i tij, një hebre rumun, në vitet '50 hyri ilegalisht në Britaninë e Madhe. ”Metropol” sjell të plotë shkrimin e "Daily Mail" publikuar disa ditë më parë në faqet e kësaj gazete, e cila ka një të kaluar dhe të tashme plot mllef dhe urrejtje ndaj të huajve. Atyre të cilët ndërtuan Britaninë e Madhe për dekada me radhë dhe atyre të tanishmëve, që po bëjnë ato punë, të cilat bashkëkombasit e kalemxhinjve të gazetës në fjalë refuzojnë që t'i bëjnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›