E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkurrentët e PD-së sipas influencës në zona

13/03/2005  Në listën e Partisë Demokratike për Mazhoritaren për fshihen anëtarët e KOP, si dhe ish- demokratët

Partia Demokratike ka vendosur që bazë të përzgjedhjes së kandidaturave të ketë influencën që ata kanë në zonën përkatëse. Burimet kanë zbardhur për "Metropol" 35 emrat e lisës paraprake të konkurrentëve për deputetë. Pavarësisht se është deklaruar partneriteti me shoqërinë civile dhe akademikët, këta më së shumti do të jenë në garë në zonat ku elektorati është i lëkundur. Gjithashtu, në listën e kandidatëve të PD-së do të përfshihen dhe ata persona, që nuk kanë mundur të fitojnë në zgjedhjet e kaluara, por nuk do të rikandidojnë sërish në të njëjtën zonë, duke përjashtuar raste të veçanta kur përballja ka qenë dinjitoze. Të njëjtat burime shprehen se shumë prej krerëve të PD-së kanë preferuar t'i lëvizin zonat e tyre elektorale, pavarësisht se kanë fituar një herë më parë në ato zona.

Përballja

Në listë bie në sy edhe kandidatura që parashikohet të kandidojë në Skrapar, përballë kreut të LSI-së, Meta. Fatos Harizaj, i ofruar nga shoqëria civile, që në zgjedhjet e vitit 2001 do të sfidojë kreun e LSI-së. Ndërkohë në listën e kandidaturave janë përfshirë edhe emrat e të ikurve nga PAD-ja, si Preç Zogaj në Lezhë, apo Arben Imami dhe Gramoz Pashko, në Tiranë. Mësohet se Ylli Pango, dekan i Shkencave Sociale, mendohet të kandidojë në qytetin e Lushnjës përballë kandidaturës së socialistit Vath Koreshi. Disa zona mendohet të lihen të lira për aleancat e mundshme të PD-së para zgjedhjeve, për këtë do të ketë takime mes krerëve të PD-së dhe të aleatëve të tyre.

Aleancat

Duket se përfshirja në më shumë se 30 zona të anëtarëve të KOP, në kandidaturat e ardhshme nuk do të hapë debate si në zgjedhjet e kaluara, pasi në këto zgjedhje PD-ja do të dalë pa aleatët e saj të 2001, të cilët në pjesën dërrmuese të tyre kanë preferuar të kandidojnë nën siglën e LZHK-së. Në disa zona mendohet të lihen të lira për aleancat e mundshme të PD-së para zgjedhjeve. Debati i koalicioneve me partitë e tjera të opozitës mbetet i hapur dhe deri më tani është konfirmuar aleanca me PR- në, por sërish mbetet e hapur tema e koalicionit me PDR- në dhe me PDK-në, ku kryetari i saj, Nikollë Lesi, ka kërkuar përballje me Nanon në Sarandë, temë që mbetet e hapur.

Lëvizjet

Gjithsesi, lista e kandidaturave të PD-së nuk është përfunduar ende. Burimet shprehen se deri në miratimin e listës përfundimtare, mund të ketë të tjera ndryshime, emra të rinj apo lëvizje të zonave aktuale. Emrat që do të kandidojnë priten të marrin formë përfundimtare pas zhvillimeve të Kuvendit Kombëtar, kur të jetë marrë edhe miratimi i bazës për emrat e propozuar. Nga ana tjetër, veç listës së emrave në mazhoritar, strukturat e PD po diskutojnë mbi formulën e listës shumemërore të proporcionalit. Burime në PD shprehen se në këtë listë do të futen njerëzit që janë më afër liderit demokrat Berisha, si dhe personat me ndikim në media.

Sali Berisha - Kavajë

Jozefina Topalli –Shkodër

Pjetër Arbnori - Shkodër

Ritvan Bode- Korçë

Gjergji Pendavili - Korçë

Pal Dajci – Laç

Luigj Gjoka – Laç

Sali Shehu- Dibër

Preç Zogaj – Lezhë

Zef Gjoka – Lezhë

Gjovalin Prenga – Rrëshen

Bamir Topi - Tiranë

Jemin Gjana – Tiranë

Shaban Memia – Tiranë

Besnik Mustafaj – Tiranë

Spartak Ngjela - Tiranë

Gramoz Pashko - Tiranë

Elida Reçi – Tiranë

Edmond Leka – Tiranë

Arben Imami – Tiranë

Majlinda Bregu – Tiranë

Shemsi Premçi – Tiranë

Besnik Aliaj – Tiranë ose Lushnjë

Selami Xhepa – Tiranë osë Bulqizë

Aldo Bumçi – Tiranë ose Shkodër

Lulzim Basha – Tiranë ose Kukës

Sokol Olldashi - Durrës

Genc Juka – Durrës

Ilir Rusmali – Elbasan

Hasan Halili – Fier

Leonard Demi – Sarandë

Fatos Harizaj – Skrapar

Ylli Pango – Lushnjë

Ilir Bano – Lushnjë

Preç Zogaj

Deputeti aleancist Preç Zogaj pritet të kandidojë në Lezhë për zgjedhjet parlamentare. Rikthimi i tij pranë PD-së duket se do të vendosë edhe siglën nën të cilën do të kandidojë. Në zgjedhjet e kaluara, Zogaj kandidonte nën siglën e PAD-së, po si i pavarur, përballë deputetëve Anastas Angjeli për PS-në dhe Robert Çeku për opozitën.

Arben Imami

Arben Imami mendohet të hyjë në garë në një nga zonat e kryeqytetit, edhe ky nën siglën e PD-së. Një ndër themeluesit e PD-së në fillimin e viteve '90-të, Imami do të shkëputej për një kohë të gjatë nga kjo parti, duke kaluar te PAD, për t'u rikthyer në vitin 2003, pas përplasjeve që pati me kreun e PAD-së, Neritan Ceka.

Gramoz Pashko

Gramoz Pashko për një kohë të gjatë i shkëputur nga salla e parlamentit, mendon të rikthehet sërish nën siglën e partisë që e zgjodhi për herë të parë deputet në zgjedhjet e vitit 1991, për t'u larguar me të pakënaqurit e Cekës. Shkëputet nga PAD-ja pas konflikteve që nënkryetari Imami pati me kreun e partisë.

Zona të lira për aleatët

Lënia e zonave të lira për aleatët, me të cilët PD-ja mund të bashkëpunojë është një tjetër temë e diskutueshme në Partinë Demokratike. Deri më tani është konfirmuar aleanca me PR-në, ndërsa diskutohet koalicioni me PDR-në, PBL-në apo PDK-në. Gjithsesi, koalicionet do të vendosen pas bisedimeve dhe rënies dakord mbi kushtet e koalicionit. Vetë Berisha është shprehur se kërkesat e partive që kërkojnë koalicion me PD-në duhet të jenë të arsyeshme. Nga ana tjetër, krerë të lartë të PD-së janë shprehur se zonat e lira do të lihen edhe në bazë të përzgjedhjes dhe influencës, që kanë këto parti në zona të caktuara zgjedhore. Bisedimet e PDR-në për koalicionet dështuan në zgjedhjet e kaluara, pasi demokratët dhe reformatorët nuk ranë dakord për përqindjen e votave që duhej të ndanin mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›