Rusmali: Celibashi shkeli ligjin për listat

13/03/2005 Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ilir Rusmali, tha dje se Regjistri Kombëtar i Zgjedhësve është dërguar nga kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, pranë MPVD-së në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, veprimi i Celibashit është një tentativë për të manipuluar zgjedhjet. "Kryetari i KQZ, në kundërshtim me obligimet ligjore, i ka dhënë ministrit Blushi databaze e KQZ-së për regjistrin kombëtar të zgjedhjeve. Pra, jo vetëm lista emrash, por edhe programe aplikative informative, me të cilat manipulohen listat e emrave", tha Rusmali. Duke shpjeguar procesin e regjistrimit të popullsisë, Rusmali tha se MPVD-së nuk i duhen të dhënat e listave të zgjedhjeve të vitit 2003. Sipas tij, bashkitë dhe komunat kanë për detyrë të bëjnë regjistrimin e popullsisë, pa iu referuar listës së zgjedhësve të vitit 2003. "Mbi bazën e verifikimit derë më derë të shtetasve, kryetarët e minibashkive nxjerrin listat e zgjedhësve dhe këtu mbaron procesi dhe nuk ka punë as ministri, dhe as KQZ-ja me regjistrin kombëtar. Ligji parashikon vetëm një detyrë anësore për Ministrinë e Pushtetit Vendor, verfikimin e dublikatëve të këtyre listave, që kanë filluar të dalin tashmë. Kjo punë ka filluar në fund të muajit shkurt. Mbetet vetëm të përpunohen këto lista, ndaj dhe nuk ka se çfarë i duhet ministrit Blushi lista e 2003-it", tha Rusmali. Sekretari për Çështjet Ligjore të PD-së tha se komisioni hetimor parlamentar i kërkuar nga opozita për të mbikëqyrur procesin e hartimit të listave të zgjedhësve do të merret dhe me këtë çështje. Listat e votuesve në zgjedhjet lokale të vitit 2003, u kundërshtuan nga opozita si të manipuluara, pasi në një pjesë të zonave zgjedhore votuesit nuk arritën të gjejnë emrin në listën e zgjedhjeve. Në atë kohë opozita akuzoi për manipulim të listave Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.