Berisha takim me biznesmenët vlonjatë
13/03/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar dje në Vlorë një takim me biznesmenët e këtij qyteti. Turizmi, zhvillimi dhe mbrojtja e bizneseve nga konkurrenca e paligjshme, ulja e taksave, si dhe ndërtimi i një TEC-i në Vlorë, ishin disa nga premtimet që kreu demokrat u dha biznesmenëve vlonjatë. "Kam ardhur enkas të bëj një takim me ju, pasi problemet tuaja reflektohen në të gjithë qytetin e Vlorës. I gjithi biznesi shqiptar vuan sëmundjen e monopolove dhe të korrupsionit, që është mbytës në veprimtarinë tuaj. Ne kemi një plan mjaft të detajuar të platformës sonë ekonomike. Kemi punuar me mjaft specialistë të mirë. E dimë fare mirë çdo të thotë të punosh e të lirosh biznesin nga litari që e mbyt. Ekonomia jonë sot ngjason shumë me ekonominë siçiliane të viteve '50. E ritheksoj, se monopolet qeveritare janë problemi i biznesit tonë. Molusqet tona nuk u pranuan në Evropë për t'u shitur. Nuk certifikohet ky prodhim, pasi nuk duan e nuk i leverdis", tha Berisha. Kreu demokrat u shpreh se në platformën e PD-së për Jugun e vendit parashikohet ndërtimi i një TEC-i, që do të mbulojë zonën e Gjirokastrës, Fierit dhe Vlorës. Heqja e TVSH-së për ndërtimin, sipas Berishës, është një tjetër strategji e PD-së në ndihmë të zhvillimit të biznesit dhe turizmit. "Jugu i vendit ka nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. Për këtë qëllim, duhet shikuar se ku duhet të ndërtohet një kompleks i TEC-it në Vlorë, a Fier, ose Gjirokastër, pasi është i nevojshëm për këtë trevë. Nga ana tjetër, një fluks i madh është dhe ndërtimi. I pashpjegueshëm është fakti që asnjë bashki vendase nuk ka një strategji për të strehuar qytetarët në rast fatkeqësish. Ka mjaft mënyra për të operuar, mund t'ia japësh një firme truallin përkatës dhe ajo të ofron dy kate ndërtesë. Kjo do të jetë pronë e Bashkisë, e cila mund t'ua japë qytetarëve në raste nevoje. Ne, si PD, do të heqim fare TVSH e ndërtimit, në mënyrë që shqiptarët të blejnë apartamente në Shqipëri e jo në shtetet e huaja ku punojnë", tha Berisha.