E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, shmangën qenin në rrugë, rëndë 2 policët e rrugores

Peqin-Aksidentohen rëndë dy efektiva rrugorë të policisë së komisariatit të Peqinit, ndërsa tentuan të shmangnin një qen që u zuri rrugën. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Bishqem. Automjeti i policisë me targë 2030 ka dalë nga rruga e është përplasur në anë të saj dhe për pasojë kanë mbetur të lënduar dy punonjës të policisë rrugore, Xhelal Toti dhe Rexhep Hyra, me banim në qytetin e Peqinit. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Peqinit, ata janë nisur për në spitalin ushtarak në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët dhe grupi hetimor dhe nga hetimet e kryera dhe nga dëshmitë e vetë punonjësve të policisë shkak i aksidentit ka qenë shmangia e një qeni të ngordhur në mes të rrugës. Policët e kanë devijuar automjetin për të shmangur edhe një automjet e për pasojë kanë rrezikuar vetë, duke dalë jashtë rruge e duke pësuar aksident. Sipas mjekëve, gjendja e tyre mbetet ende serioze për jetën, për shkak të politraumës që kanë pësuar. Brenda 3 ditësh 2 makina të policisë së komisariateve të drejtorisë së policisë së Elbasanit janë përfshirë nga aksidente, duke lënë të plagosur 5 efektiva policie. Ndërkohë, edhe me masat e rrepta të marra nga qarkullimi rrugor në këtë qark, ende po ndodhin aksidente tragjike për jetën e qytetarëve. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›