Hashash dhe portokalle, goditet rrjeti Shqipëri-Greqi-Irlandë
Policia greke kap 241 kilogramë hashash vetëm pak orë pasi kishte kaluar ilegalisht nga kufiri shqiptaro-grek në Sarandë. Të arrestuar një irlandez dhe dy grekë, njëri prej të cilëve këngëtar. Në kërkim furnizuesit nga Shqipëria
Hashash dhe portokalle. Kjo mund të mos jetë përzierja e duhur, por është mënyra që trafikantët kanë gjetur ndoshta për t’u shpëtuar qenve antidrogë. Një ngarkesë e tillë ku lënda narkotike ishte fshehur mes portokalleve dhe kishte për destinacion Irlandën, është bllokuar dje në Igumenicë menjëherë pasi kanë kaluar kufirin me Shqipërinë, ndërsa policia greke flet për një rrjet trafiku që përfshin grekë, shqiptarë dhe irlandezë. 3 persona janë arrestuar, mes të cilëve një këngëtar grek, ndërsa duket se dy policitë janë duke bashkëpunuar për të kapur furnizuesit, që sipas palës greke janë shqiptarë, puna e të cilëve duket se ka mbaruar me kalimin e ngarkesës matanë kufirit.
Dje janë kapur rreth 241 kilogramë hashash, vetëm pak orë pasi kjo sasi ishte kaluar ilegalisht nga kufiri shqiptaro-grek në Sarandë. Policia greke bën me dije se, pasi ka marrë informacione nga agjentët e INTERPOL-it, se nga Shqipëria vinin sasi me hashash që futeshin në Igumenicë e më pas eksportoheshin në Irlandë, ka nisur hetimin dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka evidentuar dy furgonë të dyshimtë që lëviznin në kufirin shqiptaro-grek.
Gjatë aksionit të policisë greke, në njërin prej furgonëve, i cili ishte drejtuar drejt qytetit Artë, janë zbuluar 120 kg lëndë narkotike "cannabis sativa", ndërsa në furgonin e drejtuar për në Athinë u gjetën 121 kg të tjerë.
Policia greke bën me dije se furgonët ishin furnizuar me hashash në kufirin shqiptaro-grek nga shtetas shqiptarë. Sipas policisë, një prej furgonëve drejtohej nga një shtetas irlandez 36 vjeç, ndërsa furgoni që u kap në Athinë drejtohej nga shtetasi Franko Alfonso 46 vjeç, këngëtar dhe aktor greko-italian, si dhe nga një grek 40 vjeç. Mësohet se në një nga furgonët droga ishte vendosur pas një ngarkese me portokalle, ndërsa do të transportohej në Athinë e më pas në Irlandë. Policia greke ka nisur një hetim të gjerë për këtë grup kriminal që vepronte në tri shtete. Sasia e fundit e çon në 3 ton e 540 kg sasinë e hashashit të kapur deri tani në Igumenicë dhe Korfuz dhe që vinte nga Saranda.