Digjet treni i Tiranë-Durrës, rrezikohen 50 pasagjerë
Lokomotiva e një treni të linjës Tiranë-Durrës është përfshirë nga flakët dje pasdite, duke rrezikuar punonjësit dhe 50 pasagjerët që ndodheshin në të. Makinisti ka vënë re flakët ndërsa treni po lëvizte në zonën e Sukthit. Duket se reagimi i makinistit ka qenë në kohën e duhur, ai ka ndaluar mjetin dhe ka bërë të mundur evakuimin e pasagjerëve që ndodheshin në atë moment në tren. Policia njofton se makinistët kanë bërë edhe shkëputjen e vagonëve në mënyrë që flakët të mos përhapeshin. Treni, sipas burimeve nga policia, kishte dy vagonë me rreth 50 pasagjerë, dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar mes tyre. Në vendngjarje kanë mbërritur dhe tre zjarrfikëse të cilat kanë shuar zjarrin në lokomotivë. Ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura dhe po hetohen nga policia.