E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Informatorët” godasin trafikun e hashashit, policia sekuestron 42 kg

SHKRUAN: Irena Vreto/Bledar Shehu 25-11-2011 15:59

Tre anëtarë të një familjeje, babai me dy djemtë dhe një 25-vjeçar janë arrestuar dje në Korçë e Gjirokastër, ndërsa u sekuestrua hashashi që transportonin. Një i katërt në hetim

Informatorët janë kthyer në “rrezikun” kryesor për trafikantët e hashashit. Qytetarë të mirë apo spiunë të grupeve rivale, kjo pak rëndësi ka për policinë për sa kohë, ashtu si dje në Korçë dhe Gjirokastër, e ndihmuar pikërisht nga të dhënat operative ka bllokuar rreth 40 kg hashash, ndërsa janë arrestuar 4 persona dhe një i pestë është shpallur në kërkim. Grupi i Korçës, i ndaluar në operacionin “Boboshtica”, i përket një familjeje, ku babai dhe djemtë janë arrestuar me një sasi prej 37.2 kilogramësh hashash, ndërsa në Gjirokastër është ndaluar një i ri që kishte blerë drogë në Lazarat dhe po udhëtonte drejt Tiranës.

Familja në pranga

Goditet një rrjet narko-trafiku në itinerarin Shqipëri-Greqi, me pjesëtarë anëtarë të së njëjtës familjeje. Bilanci i policisë është 3 të arrestuar, mes të cilëve babai dhe dy djemtë, kurse djali i madh i familjes në fjalë është shpallur në kërkim teksa ka mundur t’i shpëtojë ndjekjes së bluve. Finalizimi i operacionit të policisë juglindore “Boboshtica” bëri të mundur arrestimin në flagrancë të: Kundret Bylykbashit, 69 vjeç, Altin Bylykbashit, 37 vjeç, David Bylykbashit, 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lumalas të rrethit Korçë, pasi u kapën në flagrancë me 37.2 kg marijuanë. Ndërkaq u bë shpallja në kërkim e Bernard Bylykbashit, 42 vjeç, banues po në fshatin Lumalas të Korçës. Babai dhe tre djemtë i tij ishin përfshirë në një rrjet droge, ndërsa e merrnin mallin nga një tjetër qytet i Shqipërisë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi dhe transportohej në shtetin grek. Sipas burimeve policore, Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, prej kohësh dispononte informacione operative se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me “prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe me trafik ndërkombëtar”. Pas kësaj u organizua puna dhe nisi ndjekja e grupit duke përdorur metoda speciale të hetimit. “Si rezultat i kësaj pune, gjatë ndjekjes së shtetasve të mësipërm u bë e mundur kapja dhe sekuestrimi i 37 kg e 188 gr, lëndë narkotike e llojit marijuanë. Fillimisht u bë kapja e një sasie prej 10 kg e 331 gr, e cila u gjet në automjetin e shtetasit Bernard Bylykbashi, me targa greke PIZ 9280”, njoftoi policia. Kishte qenë ky automjet që ishte vënë nën ndjekjen e policisë. Drejtuesi i mjetit kishte për destinacion fshatin e njohur turistik të Dardhës, në afërsi të kufirit me shtetin grek. Duket se Bernard Bylykbashi e kishte pikasur ndjekjen e policisë, madje i gjendur në këto rrethana ai e ka braktisur makinën së bashku me sasinë e drogës që po transportonte. Aktualisht policia po punon për gjetjen dhe arrestimin e tij, pasi ka bërë shpalljen në kërkim. Të njëjtat burime bënë të ditura për “Mapo”-n se pjesa tjetër e lëndës narkotike u gjet në banesën e shtetasve: Kundret, Altin dhe David Bylykbashi në fshatin Lumalas, e ndarë në pako 1-kilogramshe. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se droga do të transportohej me kafshë në kufirin tokësor me shtetin grek dhe kishte si destinacion qytetin e Selanikut.

Rasti i Gjirokastrës

Në operacionin e radhës antidrogë, strukturat e Policisë së Shtetit kanë sekuestruar një ngarkesë me 5 kg marijuanë, si dhe kanë ndaluar personin e dyshuar si transportues i saj. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, aksioni është zhvilluar nga ana e Sektorit kundër Narkotikëve, në vendin e quajtur ish- “Adi Petroli”, në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë, në dalje të qytetit të Gjirokastrës. “Rreth orës 04:00 të mëngjesit të së enjtes, ne morëm informacion në rrugë operative se një person kishte blerë në fshatin Lazarat një sasi lëndë narkotike dhe po udhëtonte në drejtim të Tiranës me një automjet me targa të huaja”, - thonë burimet policore në Gjirokastër. Fillimisht, agjentët e antidrogës kanë evidentuar automjetin e dyshuar në segmentin rrugor në dalje të qytetit të Gjirokastrës. “Automjeti tip ‘Renault’, me targa italiane CZ 339 BR, po udhëtonte me shpejtësi në drejtim të Tiranës. Pranë ish- ‘Adi Petrolit’, ne ndërhymë duke i bllokuar rrugën me shpejtësi makinës dhe bëmë të mundur ndalimin e automjetit si dhe të drejtuesit të tij”, - thonë efektivët e policisë, pjesëmarrës në këtë operacion. Drejtuesi i mjetit është identifikuar si Redjan Luri 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në makinë policia zbuloi poshtë sediljes së pasme 5 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishe lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Efektivat e policisë kanë bërë sekuestrimin e lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, mbi bazën e provave të mbledhura ata kanë ndaluar 25-vjeçarin Luri për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Gjatë hetimeve, grupi hetimor konstatoi se sasia e marijuanës ishte blerë në fshatin Lazarat dhe, pasi të transportohej për në Tiranë, do të trafikohej në drejtim të Italisë. Brenda një jave policia e Gjirokastrës ka ndaluar pesë persona, ndërkohë që ka shpallur në kërkim pesë të tjerë, pasi dyshohet se janë implikuar në tentativat e transportit të ngarkesave me lëndë narkotike në drejtim të zonave të tjera të vendit apo me destinacion Greqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›