Përplasen tri makina, 4 të plagosur, mes tyre zv.drejtori i Spitalit Ushtarak
Zëvendësdrejtori i Spitalit Ushtarak dhe tre persona të tjerë kanë përfunduar në gjendje të rëndë, pas një aksidenti në të cilin u përfshinë dy makina të vogla dhe një maune e tonazhit të rëndë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në aksin rrugorë Fushë-Krujë – Mamurras. Dy autoveturat janë përplasur me njëra-tjetrën e më pas me një kamion të tonazhit të rëndë. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Derven të Krujës. Për pasojë, katër persona kanë mbetur të plagosur, midis tyre edhe zëvendësdrejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Sami Koçeku. Sipas policisë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, Koçeku është plagosur më rëndë dhe është në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës, së bashku me të plagosurit e tjerë. Policia rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur dhënien e ndihmës së parë të plagosurve dhe ka nisur edhe hetimet mbi shkaqet e aksidentit të ndodhur në këtë aks rrugor. Vetëm pak metra nga vendi ku janë përplasur tre mjetet, një tjetër aksident ka ndodhur para një viti, kur kanë humbur jetën gjashtë persona. Ndërsa duhet theksuar se aksi rrugor Fushë-Krujë – Mamuras mbetet problematik përsa i përket aksidenteve, pasi edhe mungojnë nënkalimet dhe sinjalistika rrugore.