E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, taksisti plagos kolegun me kaçavidë

Përplasja e dy taksive është bërë sebep për sherrin mes dy shoferëve, që ka sjellë plagosjen e njërit prej tyre dhe arrestimin e tjetrit. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, ndërkohë që taksisti i plagosur, Vladimir Arapi, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, dy taksistë janë përleshur me kaçavida, një ditë më parë në Laprakë, pas një aksidenti të ndodhur me dy mjetet e tyre. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se në pranga është vënë Shyqyri Kryeziu, ndërkohë që në spital është dërguar i dëmtuari Vladimir Arapi. Gjatë punës së tyre, të dy këta persona janë përplasur me njëri-tjetrin, duke dëmtuar makinat e tyre. Këtu ka nisur edhe sherri mes të dyve, që ka sjellë dhe plagosjen me kaçavidë të Arapit, nga kolegu i tij, Kryeziu. Burimet nga uniformat blu, që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, shpjeguan se zënka ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në grushte deri dhe në përdorimin e kaçavidave, që i kishin me vete dy shoferët. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur Vladimir Arapi, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë ndihmën e parë dhe sipas të dhënave, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›