Ish-pronarët, hetime për ndarjen e tokës
Ish-pronarët kthehen në hetues për të zbuluar tokat e ndara padrejtësisht dhe krijuar mundësi kompensimi për veten. Atë që nuk e bën shteti, kanë nisur ta bëjnë individët në kërkim të kthimit të sipërfaqeve të përfituara abuzivisht në pronësi të shtetit. Krijimi i sipërfaqeve të lira u jep më pas atyre shansin për kompensim të pronës. Lajmin e bën të ditur për "Shqip" kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës, Seid Kërtusha, si dhe burime nga Gjykata e Durrësit, ku kanë mbërritur dhjetëra padi penale dhe civile të kësaj natyre. Më të kërkuarat dhe të përfshirat në konflikte janë tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore në bregdet. Janë tokat më të mira dhe përfshijnë kodrat e qytetit-port, zonën nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, Hamallajn, Rrushkullin dhe Gjirin e Lalëzit. Të përfshirë në aferat e ndarjes së padrejtë të tokave janë individë me pushtet, që dikur drejtonin njësitë vendore, por edhe politikanë të interesuar. Abuzimet me tokat në bregdet janë të shumta dhe aktualisht po synohet krijimi i një baze të dhënash të përfituesve dhe filtrimi i dokumentacionit të tyre rast pas rasti. Specifika e tokës buzë detit e ka koklavitur situatën, ndërsa individët duke kuptuar rëndësinë e saj kanë intensifikuar përpjekjet për ta shtënë në dorë, duke sfiduar haptazi strukturat shtetërore. Në rrethin e Durrësit, sipërfaqja e tokës e vënë në dispozicion për t‘u ndarë ka qenë 25164 hektarë dhe pjesa dërrmuese e saj u është ndarë ish-punonjësve të kooperativave dhe atyre të ndërmarrjeve bujqësore. Të pandara nga kjo sipërfaqe kanë mbetur 374 hektarë të tjerë që i kanë shndërruar në pashallarë krerët e komisioneve të ndarjes së tokave në fshatra, po përtej përfitimeve që siguron pozicioni, ata janë vënë dhe në një morsë që duket se shtrëngohet gjithnjë e më shumë. Në fshatra situata është problematike, por jo më pak në pjesën kodrinore të qytetit të Durrësit dhe në Sukth, ku kanë funksionuar ndërmarrjet bujqësore dhe ku ish-pronarët kanë zbuluar parregullsi të shumta në ndarjen e këtyre tokave. Për 4760 familje të përfituesve si ish-punonjës të NB-ve janë ndarë 6417 ha tokë bujqësore. Ka shumë përfitues që nuk kanë punuar kurrë në NB, megjithatë kanë arritur të përfitojnë nëpërmjet falsifikimeve dhe dëshmive të rreme. "Ka me dhjetëra procese penale dhe civile që kanë mbërritur në gjykatë për t‘i zhveshur pronarët aktualë nga pronësia", thotë Kërtusha. Qëllimi është i thjeshtë. Përfituesit abuzivë duhet të kthejnë sipërfaqet e tokës bujqësore. Toka i kthehet shtetit duke krijuar rezervën e duhur për të kompensuar pronarët. Atë që nuk po e bëjnë organet e pushtetit vendor dhe strukturat e tjera shtetërore, po e bëjnë pronarët, të cilët në kërkim të marrjes së asaj që u takon me të drejtë, kanë ndërmarrë rolin e hetuesit në këtë problematikë të madhe që ka emrin Tokë. Hulumtimet nisën menjëherë pas ndryshimit të ligjit për kthim-kompensimin e pronave. Problemi i tokës së NB-ve ka shumë anë të errëta. Në asnjë rast, toka e shpërndarë fillimisht në pronësi dhe e kaluar në pronësi për 4760 familjet, nuk është konfirmuar në Komisionin e Tokës së Qarkut. Në pikëpyetje vihet nga Kërtusha edhe mefshtësia në veprim e kryetarit të këshillit të rrethit, demokratit Medi Tatani. Në një periudhë të zymtë për shtetin, siç ishte 1997, institucionit të drejtuar prej tij iu rrëmbye kompetenca dhe në asnjë rast nuk pati reagim. Në disa fshatra të Sukthit banorëve nuk u njihet tapia me të cilën janë pajisur pas shfuqizimit të ligjit për ndarjen e tokës për ish NB-të. Tapitë nuk mund të konfirmohen, pasi bien ndesh me ligjin 8053. Ka fshatra ku shpërndarja e tokës nuk është bërë ende, siç është rasti i fshatit Shetel, pasi toka është zënë nga pronarët e vjetër dhe komisioni i tokës në fshat është ndjerë i pafuqishëm për ta zbatuar ligjin në këto kushte. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, thotë se problemet kryesore që hasin qytetarët i kanë me hipotekën, ndërsa në këtë zyrë problematika i transferohet këshillit të qarkut, duke u përfshirë në një rreth vicioz, ku të dëmtuar mbeten fshatarët.
Rasti
Pas denoncimit zbulohen shkeljet
Shpërndarja e padrejtë e tokës edhe gjatë viteve të fundit ka zbardhur shkelje të rënda, të cilat implikojnë dhe drejtues të lartë të pushtetit vendor. Denoncimi që është bërë në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Durrës pak kohë më parë dhe kërkesa e këtij organi për të siguruar me cilësinë e provës dokumentacionin përkatës nga Këshilli i Qarkut Durrës ka bërë evident abuzimin e ish-drejtuesve të Këshillit të Qarkut përtej kompetencave të tyre. "Në asnjë rast një drejtues i këtij niveli të pushtetit vendor nuk mund të bëjë ndarje toke me vulën dhe firmën e institucionit që drejton. Është komisioni përkatës, që si organ kolegjial merr vendime të cilat përbëjnë tituj ekzekutivë dhe duhen zbatuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëse janë të pasakta dhe abuzive, vetëm organet e drejtësisë mund të shqyrtojnë dhe vendosin anulimin e tyre", sqaron kryetari aktual i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, duke lënë të kuptohet se përveç rastit që ka përfunduar në prokurori, paraardhësi i tij socialist ka vulosur e firmosur edhe të tjera akte pronësie, jashtë kompetencave të detyrës së tij.
Problemet
Qytetarët kanë tapi, por toka figuron shtetërore në hipotekë.
Mospërputhje e pozicioneve faktike të tokës në hartat hipotekore.
Mospërputhje të sipërfaqeve të përcaktuara në tapi me ato të regjistruara në hipotekë.
Konflikte mes pronarëve të rinj dhe atyre të vjetër.
Konflikte për ndërhyrjet infrastrukturore.