E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, treni jashtë shinave

 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

Linja hekurudhore që lidh Tiranën me veriun e vendit u bllokua dje për shkak të një aksidenti të rëndë. Disa vagonë të një treni që transporton mallra doli nga shinat. Për pasojë, rreth 1000 tonë mall, grurë dhe vaj rrezikuan të derdhen, ndërsa u paralizua gjithë transporti i udhëtarëve në orët e mëngjesit. Drejtoria e hekurudhës në Kurbin bëri të ditur se treni i linjës Shkodër-Tiranë që kryen transportin e mallrave ka dalë nga shinat në orën 02:00 të mëngjesit të djeshëm. “Si pasojë e këtij aksidenti, tre vagonë kanë dalë nga shinat. Dy prej tyre ishin të mbushur me grurë që vinte nga Hungaria, ndërsa vagoni tjetër ishte i ngarkuar me vaj ushqimor që vinte nga Ukraina”, bënë të ditur burime nga Drejtoria e Hekurudhës në rajonin e Kurbinit. Mësohet se aksidenti ndodhi rreth 200 metra larg nga stacioni i udhëtarëve në Laç. Policia e Kurbinit u vu në alarm sapo mori njoftimin dhe shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, duke marrë në ruajte vagonët e mbushur me mallra importi. Sipas ekspertëve të hekurudhës, shkak i daljes së vagonëve nga shinat është amortizimi i traversave, të cilat janë hapur më shumë se sa limiti i lejuar. “Që prej vitit 1980 kur është ndërtuar kjo hekurudhë, nuk është ndërhyrë asnjëherë për të restauruar pjesët e amortizuara”, pohuan specialistët. Treni kishte gjithsej 25 vagonë. Pjesa e dëmtuar mësohet të jenë vagonët e mesit. Për fat të mirë, makinisti ka mundur të manovrojë shpejt, duke shmangur aksidentin me pasoja akoma e më të rënda. Ndërsa vagonët e fundit vetëm janë shkëputur, por nuk kanë pësuar përmbysje apo dalje nga shinat. Në tre vagonët që dolën nga linja hekurudhore ishin të paktën 1 mijë tonë mall në ngarkim. Ngjarja vuri në lëvizje edhe Drejtorinë Hekurudhore të Durrësit, e cila pas sinjalizimit të dhënë çoi në vend specialistët e saj. Në vend mbërriti edhe brigada e mirëmbajtjes së linjës hekurudhore, të cilët kanë vazhduar punën për rreth 14 orë. Vetëm dje në orën 16:00 është bërë e mundur zhbllokimi i linjës për trenin e pasagjerëve nga Shkodra në Tiranë. Brigada e mirëmbajtjes dhe specialistët e hekurudhës me ndihmën edhe të vinçave bënë të mundur ngritjen në shina të vagonëve dhe riparimin e defektit në një segment hekurudhor rreth 200 metra. Fatmirësisht nuk ka pasur shtëpi banimi pranë hekurudhës dhe po kështu as të lënduar në njerëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›