Haradinaj: Duhet qeveri e shpëtimit kombëtar
Lideri i AAK–së në Kosovë, Ramush Haradinaj ka deklaruar fajtore për miratimin e planit të Ban Ki Mun për EULEX-in “politikën e dështuar të qeverisë aktuale”. Ditën e flamurit shqiptar, Haradinaj drejtoi një varg kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës për situatën. Sipas tij, me 6 pikëshin e OKB-së, Kosova ka humbur politikisht. “Kundërshtimi i Kosovës për 6 pikëshin nuk është fitore. Fitore do të ishte një politikë krijuese e vendit për të mos me e sjellë gjendjen deri tek gjashtë pikëshi apo tek zhvillimet e ngjashme”, tha Haradinaj. Lideri i AAK–së theksoi se zyrtarët e institucioneve të Kosovës duhet të kërkojnë falje para popullit dhe duhet t’i dorëzojnë përgjegjësitë e veta tek një qeveri tjetër, një qeveri e shpëtimit kombëtar.