E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, banorët kërkojnë nisjen e shërbimit urban

 

FIER - Shërbimi urban në qytetin e Fierit vazhdon të mbetet një privim i plotë për fierakët. Disa herë është kërkuar nga qytetarët që t’u mundësohet lëvizja, sidomos tani që qyteti është zgjeruar. Janë më shumë se 100 mijë banorë ata që përditë qarkullojnë në këmbë për të plotësuar nevojat e përditshme të familjes apo edhe nevojat e tyre. Fakti që edhe shumë institucione janë të vendosura në periferi të qytetit, e bën edhe më tepër të domosdoshëm këtë shërbim. “Jam i moshuar dhe më duhet të shkoj në fund të qytetit për të paguar faturat e telefonit, të ujit e të dritave dhe këto nuk i bëj dot brenda një dite. Javën e tretë të çdo muaji më duhet të shkoj prapë deri te Rotondoja e Vlorës për të tërhequr pensionin”, shprehet Sotir Manaj, pensionit. Prej 1 viti është vendosur në letra për një linjë transporti publik, por deri tani asgjë nuk ka në realitet. “Kam ardhur nga Ballshi dhe që para spitalit ku më la furgoni, deri në periferi të Fierit drejt Vlorës tek ‘Rrepet’ më duhet të shkoj në këmbë”, thotë një tjetër banor. Shefi i transportit në bashki, Ibrahim Nallbani, thotë se vendosja e shërbimit urban do të realizohet pasi shteti të garantojë subvencionimin për mjetet e nevojshme.                  m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›