E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi ‘rikthen’ Shqipërinë e madhe

 

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka rikujtuar dje idenë e krijimit të një Shqipërie të Madhe, në rast se ndërkombëtarët heqin dorë nga respektimi i parimeve bazë të Grupit të Kontaktit. Disa prej këtyre parimeve janë përjashtimi i mundësisë së ndarjes, bashkimi me ndonjë shtet tjetër dhe kthimi në gjendjen para vitit 1999. Deklarata për koincidencë ndodhi ditën e festës mbarëkombëtare për shqiptarët, atë të flamurit dhe përmendet për herë të parë nga një lider i lartë politik në Kosovë. Reagimi i Krasniqit u bë në lidhje me miratimin e raportit të Ban Ki Mun në Këshillin e Sigurimit, i cili përmban planin me 6 pika, të kundërshtuar nga Kosova. “Nëse dikush tenton të ndryshojë deklaratën e Grupit të Kontaktit, sidomos tri parimet e saj, ndoshta shqiptarët duhet të mendojnë edhe në atë aspekt. Është e drejtë e tyre”, tha Krasniqi. Deklarata e tij u bë pas një takimi me kreun e Partisë Socialiste në Prishtinë, Edi Rama. Ndërkohë një politikan tjetër shqiptar në vendin fqinj, Ali Ahmeti i BDI-së në Maqedoni bëri komentet e tij mbi panikun, që ka përhapur në rajon vendimi i Këshillit të Sigurimit mbi krijimin e ndarjes së Kosovës në vija etnike. Në një deklaratë të televizionin “Alsat”, Ahmeti u shpreh se ndarja e Kosovës nuk mund të ndodhë, pasi kjo do të pasonte me reaksione zinxhir në rajonin e Ballkanit. “Unë nuk mendoj që ndarja e Kosovës mund të ndodhë, sepse ajo ka pasoja tani zinxhirore për rajonin. Vendet e demokracisë perëndimore, në Ballkanin Perëndimor e në veçanti në shtetet ku ka pasur luftëra dhe konflikte, kanë investuar shumë për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe progresin e rajonit”, tha Ahmeti. Sipas tij, edhe Rusia duhet të angazhohet për të mos ndërmarrë veprime kundër vullnetit të popujve të rajonit, e veçanërisht shqiptarëve. “Mendoj se edhe Rusia duhet të angazhohet dhe të mos ndërmarrë veprime kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve brenda këtij rajoni, në veçanti të shqiptarëve. Ne kemi konsideratë të lartë për lirinë e popullit rus, por nuk duam që lirinë tonë të na e cenojnë apo të na imponojnë zgjidhje të papranueshme, që ne me shekuj kemi luftuar, kemi sakrifikuar dhe e kemi paguar shumë shtrenjtë”, tha Ahmeti. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se ëndrrat për ndarje të Kosovës apo ndarje të tjera nuk do të realizohen.

Meta: Iniciativat, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se “plani 6-pikësh përfaqëson një ambiguitet, të cilin disa, sidomos në Serbi, e konsiderojnë si një sukses, ndërsa disa të tjerë dhe që mund ta kenë votuar, e shohin si një ambiguitet konstruktiv”. “Unë mendoj se rritja e ambiguitetit dhe e konfuzionit nuk e ndihmon procesin që të stabilizohet më shumë. Ne kemi qenë dhe jemi shprehur gjithmonë në përkrahje të Planit të Presidentit Ahtisari dhe gjithë dokumentet e Kosovës i kanë marrë parasysh të gjitha idetë e këtij plani, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me garancitë për pakicat, e sidomos për pakicën serbe në mënyrë të veçantë”, deklaroi ish-kryeministri. Sipas tij, “ajo çka ndodh me koniunkturat ndërkombëtare nuk duhet të reflektojë në një çështje kaq delikate si kjo e Kosovës, për të cilat janë marrë vendime të rëndësishme që më parë”. “Ndaj theksojmë sot, se çdo iniciativë ndërkombëtare për Kosovën duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, deklaratën e Pavarësisë dhe Planin e Veprimit në Bashkimin Evropian. Vetëm iniciativat që shkojnë në përputhje me sovranitetin e institucioneve të Kosovës dhe njëkohësisht, me rrugën e saj tashmë të përcaktuar për integrimin evropian, mund të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit, edhe të Kosovës, edhe të rajonit tonë, sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, deklaroi Meta.

Sejdiu, Thaçi: Prishtina nuk u anashkalua në Këshillin e Sigurimit

Dy liderët kosovarë, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë mbështetur dje përfundimin e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi EULEX, duke vlerësuar se kërkesat e Prishtinës nuk janë injoruar, por janë marrë parasysh. Kjo deklaratë befasuese bie ndesh me qëndrimin e politikanëve të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët e kanë vlerësuar si të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit vendimin e KS. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se EULEX-i nuk do të jetë neutral dhe do ta respektojë pakon e Ahtisarit, pavarësisht se në Këshillin e Sigurimit kjo nuk është përmendur. “Ne insistojmë që EULEX-i të ketë shtrirje të menjëhershme. Natyrisht që s’mund të bëhet për një minutë, por shumë shpejt në gjithë territorin e Kosovës, dhe s’mund të ketë mandat tjetër EULEX-i”, tha Sejdiu. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi këmbënguli se Kosova nuk është injoruar dhe plani gjashtë pikësh nuk do të zbatohet në Kosovë. “Unë do të jem mbështetësi kryesor i EULEX-it si Kryeministër i Kosovës, por edhe kritiku më i madh ndaj çdo mosveprimi të tij. Por, jam optimist se do të kemi veprim konkret dhe do të ndryshojmë rrethanat edhe në veri, që atje të mos ketë struktura paralele ilegjitime dhe që njerëzit të fillojnë të kthehen në pronat, në shtëpitë e tyre”, theksoi Thaçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›