Aksidenti, vdes 64-vjeçarja
12/03/2005 Një automjet i drejtuar nga shoferi në gjendje të dehur, i merr jetën një kalimtareje. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në rrugën "Ali Demi". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bëjnë të ditur se Lulëzim Hata ishte duke drejtuar mjetin e tij tip "Ford" me targa TR 6399 B në drejtim të Shkozës, ku dhe banonte. Por, vetëm pak metra larg urës së Shkozës, 34-vjeçari është përplasur me furi me një kalimtare. Kadife Mata ka qenë duke kapërcyer rrugën, kur u përplas me autoveturën. E lënduara u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Bluzat e bardha nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për t'i shpëtuar jetën 64-vjeçares, pasi, ajo ishte dëmtuar në organet jetike. Kësisoj, pak minuta pas mbërritjes ajo ndërroi jetë. Në vendngjarjen e aksidentit shkoi grupi hetimor i policisë rrugore, që kreu veprimet proceduriale. Ekspertët konkluduan se shoferi kishte qenë në gjendje të dehur në çastin e aksidentit. U konstatua se shkaku i përplasjes ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën Selami Hata drejtonte makinën. Kjo vepër parashikohet nga nenet 290 e 273 të Kodit Penal. Shoferi u vu në pranga dhe iu bllokua menjëherë patenta. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.