E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD nis përzgjedhjen e kandidaturave

12/03/2005  20-30 për qind e zonave do të ketë konkurentë nga Komiteti i Orientimit të Politikave dhe shoqëria Civile

Pritet që të ketë ndryshime të zonave zgjedhore për deputetët aktualë

Partia Demokratike tashmë ka filluar përzgjedhjen e figurave që do të garojnë përballë kandidatëve socialistë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lëvizjet nga zonat, apo përfshirja e figurave të shoqërisë civile, janë bërë tashmë temë e diskutimeve mes krerëve të lartë të PD-së, por edhe elektoratit në bazë. Burimet shprehen se në rreth 25–30 për qind të zonave, nën siglën e PD-së pritet të kandidojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe anëtarët e KOP, futja në garë e të cilëve pritet të rrisë ndjeshëm përqindjen elektorale të PD-së. Ndërkohë krerët e PD-së janë shprehur se në përzgjedhjen e kandidaturave nuk do të jetë kriter vitet e anëtarësimit në parti.

Beteja për Tiranën

Tirana është qyteti ku gara elektorale mes dy partive më të mëdha do të bëhet dhe më e fortë. Për këtë qëllim, nga PD- ja parashikohet që kandidaturat të jenë sa më të spikatura, me qëllim tërheqjen e një numri sa më të madh zgjedhësish. Në pjesën dërrmuese të 12 zonave të kryeqytetit, PD-ja ka menduar të kandidojë anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave. Natyrisht, një pjesë e krerëve të PD-së si, Bamir Topi, Besnik Mustafaj, apo dhe Edi Paloka e Shaban Memia, pritet të rikandidojnë në zonat e tyre elektorale. Për sa i përket pjesës tjetër, parashikohen lëvizje dhe zëvendësime, ku për një numër të madh zonash janë parashikuar emrat e anëtarëve të KOP-it si Elida Reçi, Edmond Leka, Aldo Bumçi, Selami Xhepa etj. Ndërsa për Besnik Aliajn dhe Lulzim Bashën janë parashtruar disa zona. Për Aliajn një mundësi kandidimi veç Tiranës është dhe qyteti i Lushnjës, ndërsa për Bashën mendohet si mundësi kandidimi veç kryeqytetit është rrethi i Dibrës për shkak të origjinës së tij. Të njëjtat burime shtojnë se nuk do të rikandidojë në zonën e tij elektorale sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Spartak Ngjela, i cili do të ketë një tjetër zonë. Në pikëpyetje është dhe kandidatura në Laprakë e kreu aktual të PD-së Tiranë, Vili Minarolli, i cili po shikon mundësinë e një tjetër përzgjedhjeje.

Rrethet

Ndryshim të zonës elektorale pritet të ketë dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode. Sipas burimeve në PD, Bode këtë herë mund të kandidojë në zonën Pojan–Progër për shkak të influencës që ai ka në këtë zonë, por dhe me kërkesë të bazës së atjeshme. Progri njihet në rrethin e Korçës si bastion i PD-së. Vetë kryetari i PD-së, Berisha, ka preferuar zonën e tij elektorale në Kavajë, e cila e ka zgjedhur atë në të gjitha legjislaturat. Genc Juka, edhe ky anëtar anëtar i KOP-it, pritet të konkurrojë në një zonë të Durrësit. Megjithatë, është bërë e ditur se veç këtyre do të ketë dhe emra të tjerë, që do të dalin nga KOP apo nga shoqëria civile me propozim të elektoratit. Futja e akademikëve në garën elektorale është një strategji, që do të përdoret kryesisht atje ku elektorati në përgjithësi është i lëkundur, siç janë qytetet e Korçës, Sarandës, Elbasanit etj. Gjithsesi, lista e kandidimeve në Partinë Demokratike mbetet e hapur deri në momentin e fundit. Për t'i dhënë dorën e fundit 100 emrave të listës së kandidatëve duhet dëgjuar dhe mendimi i bazës, ndërsa Kryesia është ajo që do të vendosë përfundimisht për emrat që do nisin garën elektorale 2005.

Disa nga kandidaturat

Sali Berisha - Kavajë

Bamir Topi - Tiranë

Ritvan Bode - Pojan-Progër (Korçë)

Besnik Mustafaj – Tiranë

Edi Paloka - Tiranë

Edmond Leka -Tiranë

Aldo Bumçi - Tiranë

Selami Xhepa - Tiranë

Elida Reçi - Tiranë

Lulëzim Basha- Tiranë ose Dibër

Besnik Aliaj – Tiranë ose Lushnjë

Sali Berisha

Partia Socialiste pritet që të vendosë përballë kryetarit të Partisë Demokratike në Kavajë në zgjedhjet parlamentare të njëjtin kandidaturë, që ishte dhe katër vjet më parë. Burimet kanë deklaruar se kjo nuk është vendosur ende, pasi në Kongresin e PS-së mund të shpallet një tjetër alternativë, që mund të vijë nga fusha e biznesit. Megjithatë strukturat e PS-së e kanë vlerësuar këtë përzgjedhje si një çështje delikate, pasi ka ende variante për të diskutuar.

Fatos Nano

Partia Demokratike është ende e lëkudur në përzgjedhjen e kandidaturës që do të vendosë përballë Fatos Nanos në zgjedhjet për deputet në Sarandë. Deri më tani është folur për Leonard Demin, aktualisht sekretar për Sigurinë Kombëtare në PD dhe ish-deputet i kësaj partie. Megjithatë, nuk është përjashtuar as mundësia e shpalljes së një kandidature tjetër, që deri më sot është e panjohur në politikë, por që ka mbështetjen e bazës.

Ilir Meta

Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është ende në pritje të emrit të kandidatit socialist dhe atij demokrat, që do të vendoset përballë Ilir Metës në Skrapar. Burimet nga PS-ja kanë bërë të ditur se mund të jetë Aldon Shameti, kandidatura e socialistëve në këtë zonë. Por kjo ende ka mbetur e pazyrtarizuar. Nga ana tjetër dhe Partia Demokratike nuk ka vendosur ende se cilën figurë do të vendosë përballë Ilir Metës në lojën e zgjedhjeve parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›