E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vili Vel, dosja i " dorëzohet" të vëllait

12/03/2005  Për vdekjen e agjentit sekret gjerman, Vili Vel, ka mbërritur edhe vëllai i ti, i cili është njohur me aktet e dosjes hetimore. Ndërsa pak kohë më parë është vendosur pushimi i kësaj çështje, pasi ka rezultuar se agjenti sekret gjerman kishte ndërruar jetë për shkak të sëmundjes së tij dhe konsumimit të tepërt të alkoolit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se disa javë më parë, në Tiranë, ka mbërritur vëllai i Vili Vel. Sipas burimeve, ai ka kërkuar që të njihet me aktet e dosjes hetimore dhe konkludimin e Prokurorisë mbi vdekjen e vëllait të tij. Mësohet se të afërmit të Vili Vel i është vënë në dispozicion gjithë informacioni i dokumentuar në dosje. Burimet pohuan se gjermanit i është komunikuar çdo akt ekspertimi i kryer në vendngjarje, të gjitha provat materiale që dispononin si dhe shkaqet që çuan agjentin të ndërronte jetë. Sipas Prokurorisë, vëllait të agjentit sekret gjerman i është bërë e ditur se, Vel ka vdekur si pasojë e konsumimit të tepërt të alkoolit, duke marrë parasysh edhe gjendjen e tij shëndetësore. Ndërsa të pyetura lidhur me disa shkrime të bëra në gazetat gjermane, ku thuhej se kishte dyshime që agjenti sekret të kishte pasur lidhje me mafien shqiptare, burimet theksojnë se nuk kanë pasur asnjë informacion lidhur me këtë gjë. Burimet sqaruan se, Vel ka bashkëpunuar në ndonjë rast në kadër të bashkëpunimit në luftën kundër krimit, por se nuk kishin pasur asnjë informacion, qoftë edhe operativ, që ai të kishte pasur lidhje të fshehta me bandat kriminale shqiptare. Gjithashtu, mësohet se nuk ka pasur asnjë fije dyshimi apo provë që agjenti sekret gjerman të jetë vrarë nga qarqet kriminale të Tiranës, pasi nuk iu ishte përmbajtur marrëveshjeve, ashtu si është shkruar në mediat gjermane. Vili Vel, i punësuar si diplomat pranë ambasadës gjermane në Tiranë, me detyrë si agjent sekret, u gjet i vdekur në banesën e tij në pallatet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, më 3 maj të vitit 2004. Aty u gjetën disa lloje barnash që ai i përdorte për shkak të hipertensionit dhe zemrës, si edhe shishe të boshatisura pijesh alkoolike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›