E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Kreu i KQZ të japë dorëheqjen

12/03/2005  Celibashi: Kryetari i PD-së të veprojë njësoj si Nano para zgjedhjeve, të jetë i qetë

Lista e votuesve ka risjellë debatin mes Partisë Demokratike dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dje dorëheqjen e kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, pasi, sipas tij, ky i fundit po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shkak për irritimin e opozitës është bërë një shkresë e kryetarit të KQZ-së, Celibashi, me anë të së cilës ky i fundit i dërgon ministrit të Pushtetit Vendor, Ben Blushi, listën elektronike të Regjistrit Kombëtar të Shtetasve. Sipas Berishës, ky veprim është bërë pa vendimin e KQZ-së dhe ka si synim manipulimin e listave të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i KQZ-së, ka dalë menjëherë në një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se për këtë veprim ai i është referuar Kodit Zgjedhor të vitit 2004 dhe rekomandimeve të OSBE-së për listat e zgjedhësve.

Berisha

Kryetari i PD-së tha se dërgimi i Regjistrit Kombëtar të zgjedhësve të vitit 2003 në MPVD-në, është një tentativë e Blushit dhe e Celibashit për të manipuluar zgjedhjet. Nga ana e tij, Berisha i bëri thirrje të zgjedhurve lokalë të mos marrin për bazë listën e dërguar pranë tyre nga MPVD-ja. Sipas kreut të PD-së, ky është një veprim i urdhëruar direkt nga Kryeministri Nano për të manipuluar zgjedhjet. "Jam këtu për të kërkuar largimin e menjëhershëm të kryebanditit dhe mafies se zgjedhjeve Ilirian Celibashi nga detyra. Celibashi si një bandit dhe anëtar i `hakmarrjes për drejtësi`, që nuk njeh ligj dhe asnjë gjë tjetër, i ka dorëzuar ministrit Ben Blushi të gjithë listën elektronike, në kundërshtim flagrant me ligjin, në kundërshtim me vendimin e KQZ-së. Unë njoftoj shqiptarët se ky bandit, pra Celibashi dhe Ben Blushi, të urdhëruar nga Fatos Nano po përpiqen të hedhin në erë zgjedhjet", tha Berisha. Sipas tij, opozita do të bëjë të gjitha përpjekjet për largimin e tij nga detyra dhe vendosjen në krye të KQZ-së të një tjetër personi qoftë ky dhe kandidat i PS-së. "Ne do të inistojmë në lagimin e tij urgjent nga KQZ. Njoftojmë shqiptarët se po bëhet përpjekja më monstruoze për manipulimin e listave dhe njoftojmë Fatos Nanon se në mënyrë absolute do të ketë pasojat me serioze për këtë që po bën", tha Berisha

Celibashi

Menjëherë pas deklaratës së Berishës, ka dalë në një konferencë për shtyp kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, ku ka sqaruar dhe pozicionin e tij lidhur me këtë çështje. Celibashi tha se për rastin në fjalë nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se ka zbatuar ligjin, por edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare të zgjedhjeve. Deklaratat e Berishës, Celibashi i konsideroi si presion ndaj institucionit të KQZ-së, duke e këshilluar kreun e PD-së që të mbajë të njëjtin qëndrim, siç mban kryetari i PS-së, Nano, në marrëdhëniet me institucionin më të lartë të zgjedhjeve. "Duke qenë se jemi shumë kohë para datës së zgjedhjes, këtë deklarim të PD-së, më lejoni që ta konsideroj si një presion ndaj KQZ-së. Duke qenë se shpeshherë doktor Berisha i është drejtuar personit tim me mënyra mediatike ose jo, unë gjej rastin që për herë të parë dhe të vetme ta këshilloj që sa më shpejt të heqë dorë nga përdorimi i një pjese të anëtarëve të KQZ-së për qëllime partiake. Mundësisht të kontribuojë për të krijuar në të mirë të frymës politike parazgjedhjeve, ose të bëjë atë që bën kryetari i PS-së, Nano, që është krejt indiferent ndaj veprimtarisë së KQZ-së", tha Celibashi. Sipas tij, deklarimet e Berishës kanë qenë të nxituara dhe të ardhura si pasojë e keqinterpretimeve nga personat përreth tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›