Aksidenti, vdes një 60-vjeçar
SHKODËR - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është shënuar rreth orës 13:00 në dalje të qytetit të Shkodrës. 60-vjeçari Fatmir Brahimi, banues në lagjen "Perash" është aksidentuar për vdekje nga një automjet tip "Benz", në vendin e quajtur Fermentim në Shkodër.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e Shkodrës, që ka bërë të mundur arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasin Gegë Doçi. Kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të cilat çuan në vdekjen e 60-vjeçarit.
Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se viktima po lëvizte me biçiklete, ndërkohë që është përplasur nga automjeti. Shkak i këtij aksidenti është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia jashtë normave të lejuara.
Ishin në kërkim, dy në pranga
KURBIN - Është arrestuar dje një shtetas i shpallur në kërkim dhe që ishte dënuar me gjashtë vite burg.
Policia e Kurbinit bëri të ditur se rreth orës 16:40 minuta ka arrestuar shtetasin Mëhill Ndreca, 39 vjeç, i dënuar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda me gjashtë vite burg, për vjedhje në bashkëpunim, dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve zyrtare, Ndreca është kapur në një lokal, pranë ish-repartit të FNSH-së së Kurbinit, në dalje të fshatit të tij. Mësohet se ai kishte mbi dy vite që i fshihej policisë, ndërsa ishin arrestuar bashkëpunëtorët e tjerë. Por, ndërsa pinte një kafe me shokët e tij në një lokal, policia ka ndërhyrë për ta arrestuar. Bëhet e ditur se grupi në të cilin vepronte Ndreca kryente vjedhje të automjeteve në Tiranë, Lezhë, Krujë etj.
Gjithashtu në kuadër të aksionit për arrestimin e personave në kërkim policia e Kurbinit ka arrestuar edhe 41-vjeçarin Arben Duka, pasi gjykata e Lezhës ka dhënë masën e "arrestit me burg" për veprën penale të heqjes së lirisë së tjetrit, kanosjes me armë dhe armëmbajtje pa leje. Ky shtetas, sipas burimeve policore, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë para disa muajve mori peng pasagjerët e një furgoni me qëllim grabitjen e tyre.