Arrestohet i kërkuari për plagosje dhe grabitje
TIRANE
Arrestohet në kryeqytet i kërkuari për grabitje me dhunë, me pasojë plagosjen e rëndë të një personi. Dashamir Musa, 18 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi ishte në listën e personave të shpallur në kërkim për krimin e grabitjes me pasojë plagosjen e rëndë të një personi.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet, kur Musa ka grabitur me dhunë Gjergji Mollajn, duke i marrë atij sende personale dhe një sasi të vogël lekësh.
Në grabitje e sipër Mollaj, ka mbetur i plagosur rëndë prej të dyshuarit që e ka goditur me sende të forta. I dëmtuari është dërguar në spital, ku pas mjekimit të marrë ka mundur të shpëtojë për mrekulli. Ndërkaq për ngjarjen, policia kishte identifikuar si autor të dyshuar Musën i cili ishte shpallur në kërkim.
Ndërkaq në muajin shkurt në një ngjarje tjetër, një person i identifikuar po me emrin Dashamir Musa, pas një konflikti në një bilardo në grindje e sipër qëlloi me levë një adoleshent. Nga goditjet me levë Nderim Lleshi 18 vjeçar, mbeti i plagosur rëndë.
Edhe në këtë ngjarje, policia kishte identifikuar Dashamir Musën si autor të ngjarjes i cili ishte shpallur në kërkim për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. I kërkuari Musa, u arrestua nga policia në një banesë në të cilën ai qëndronte i strehuar prej disa ditësh, që nga koha kur efektivët e policisë kishin kryer një kontroll banese në shtëpinë e të kërkuarit. Ndaj këtij të fundit Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg në mungesë me kërkesë të prokurorisë.