Prostituta dhe tutori vidhin klientët që siguronte kamerierja
Prokuroria mbylli hetimin, për tre persona të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim të klientëve që afroheshin për femrat e lokalit
Një biznesmen ra viktimë e të akuzuarve në muajin shkurt ndërsa, hetuesit kanë provuar tri raste vjedhjeje
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale ndaj tre të pandehurve, dy femrave që "ushtronin prostitucion" dhe një mashkulli që kryente detyrën e "tutorit dhe grabitësit" të klientëve të dy femrave.
Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kancelaria e kësaj të fundit, nëpërmjet shortit elektronik, ka caktuar treshen e kryesuar nga gjyqtari Arben Micko për gjykimin e tyre.
Sipas dosjes penale që mban numrin 2161, të pandehurit Sokol Prroi, Enkelejda Ndrecaj e Fatmira Mediu kanë konsumuar veprat penale të "vjedhjes së pasurisë" e kryer kjo në mënyrë të përsëritur, "shfrytëzimit të femrave për prostitucion", dhe "ushtrimit të prostitucionit", që të gjitha këto krime janë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në role të ndryshme.
Nga hetimet disa mujore, sipas akuzës, është provuar se mes të pandehurve ishin ndarë rolet për çdo person, për të arritur përfitimet financiare në rrugë të paligjshme. Mediu ishte vajza që gjente klientët, Ndrecaj shkonte në banesën e klientëve, ndërsa Përroi pasi fillonte punë "çifti" hynte dhe grabiste. Më pas paratë ndaheshin mes të treve.
"Historia zhvillohet në rrugën e "Kavajës" në një lokal që ndodhet në një nga rrugicat aty pranë, ku Sokol Prroi kishte marrë një lokal të vogël me qera dhe aty kishte punësuar Fatmira Mediun si kameriere. Kjo e fundit, veç punës si kameriere, bashkë me pronarin Prroi, i gjenin klientë shoqes së saj Enkelejda Ndrecaj kundrejt një shume të caktuar"-thuhet në dosjen me nr. 2161.
Sipas materialeve në dosje me datën 4 shkurt 2009, një 44 -vjeçar me inicialet Gj.P. sapo kishte përfunduar punën në lokalin e tij, po kërkonte të bënte qejf me ndonjë femër pasi familjen e tij e kishte dërguar tek të afërmit. Pasditen e 4 shkurtit, pronari i vogël është ulur në lokalin ku punonte kameriere Mediu, duke i kërkuar kësaj të fundit që kundrejt lekëve t'i gjente një femër.
S' ka zgjatur shumë dhe kamerierja ka lajmëruar Ndrecajn e cila është ulur në tavolinë me "kërkuesin" për të bërë pazarin. Në tavolinë me ato, është ulur edhe i pandehuri Përroi.
Pasi kanë rënë dakord për çmimin, klienti Gj.P, dhe e pandehura Ndrecaj kanë shkuar në banesën e klientit. Pas tyre është vënë edhe i pandehuri Përroi, i cili sapo janë rehatuar "çifti" ka hyrë duke vjedhur sende me vlerë dhe shumën prej 1 milion lekë të vjetra të gjetur në një sirtar në dhomën e ndenjjes.
Pas grabitjes është larguar, ku tre orë më pas ka dalë nga banesa edhe Ndrecaj me pagesën e punës së saj, kur pronari i shtëpisë ka vënë re mungesën e lekëve, është drejtuar në polici ku edhe ka bërë kallëzimin penal.
Policia, menjëherë ka arrestuar Ndrecajn, ndërsa Mediu dhe Përroi kanë mundur t'iu ikin efektivëve të policisë, duke u shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë, janë provuar edhe dy raste të tjera, ku të pandehurit kanë kryer të njëjtën skemë mashtrimi dhe vjedhje të klientëve të tyre.