Mamurras, zbulohet baza e drogës, sekuestrohen 23,5 kg heroinë
OPERACIONI/ Policia ka vënë në pranga Hamit Doçin. Droga dyshohet se hynte nga Kosova, me destinacion Italinë
MAMURRAS - Një sasi prej 23,5 kg heroinë i është gjetur një 64-vjeçari në shtëpi, ndërsa është vënë në pranga nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe "armëmbajtjes pa leje".
Një informacion i marrë në rrugë operative, ka bërë të mundur edhe zbulimin e sasisë së madhe të drogës. Burime nga policia bënë të ditur se i arrestuari Hamit Doçi, nga Mamurrasi, është vetëm një nga hallkat e "zinxhirit" në trafikun që realizohet, ndërsa po hetohet për të gjetur bashkëpunëtorët.
Pas një aksioni policor të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është bërë e mundur kapja e një sasie droge lloj heroinë në banesën e 64-vjecarit Hamit Doçi në Mamurras. Operacioni i befasishëm u krye në orën 02:00 të natës pas informacioneve të marra nga agjentët policorë të antidrogës, në të cilat thuhej se një sasi e madhe droge do të transportohej nga kjo "bazë" në një vend tjetër.
Arrestimi i Doçit u krye në fshehtësi të plotë, ndërsa u angazhuan edhe forcat e RENEA-s, të cilat ishin instaluar prej dy ditësh në komisariatin e policisë në Laç.
Fillimisht policia ka kryer rrethimin e shtëpisë në mënyrë të beftë duke mos lënë shteg ikjeje për personin që kishin informacion se mbante një sasi madhe droge të klasifikuar heroinë, ndërsa më pas ka trokitur në portën e shtëpisë që gjendet në lagjen "Demokracia" pranë stacionit të trenit.
Pas një kontrolli të imtë të shtëpisë në dhomën e gjumit në prezencë të 64-vjecarit, është gjetur një sasi prej 23,51 kg heorinë e pastër dhe për këtë ka bërë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi. Droga ishte paketuar në qese. Gjithashtu në banesën e tij është sekuestruar edhe një pistoletë tip "Bereta", një armë gjahu po "Bereta" me respektivisht 4 dhe 20 fishekë.
Sipas burimeve, agjentë të antidrogës kishin kohë që e mbanin nën vëzhgim 64-vjeçarin dhe djalin e tij, ndërsa me vendim të prokurorisë kryhej dhe hetimi i tranzitit të kësaj sasie heroine, si dhe përgjimi i tij dhe personave që mendohej të ishin në rrethin e këtij trafiku, për të ndërhyrë në momentin e duhur.
Shtetasi i arrestuar 64-vjeçar është dërguar drejt kryeqytetit, për t'u marrë në pyetje. Pritet që të zbulohet kanali i këtij trafiku, mënyra se si ka funksionuar dhe destinacioni i kësaj sasie të madhe lënde narkotike.
Deri më tash policia dyshon se heroina mund të jetë marrë nga Kosova për t'u dërguar në tregun vendas dhe atë italian, por gjithçka po i lihet hetimit të mëtejshëm. Mësohet se për këtë aksion të rëndësishëm policia vendore nuk është vënë në dijeni edhe për shkak të mundësisë së rrjedhjes së informacionit.