E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin një shtetas në Krujë

Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një emigrant në orët e vona të natës


KRUJË - Një shtetas është grabitur nga 3 persona të armatosur me armë zjarri, të cilët edhe kanë qëlluar në ajër për ta bërë që t'u bindej. Viktima e kësaj grabitjeje, sipas informacioneve të marra, ka qenë M.Shullazi, emigrant. Atij i janë marrë rreth 40 000 lekë, si dhe celulari e disa sende me vlerë që kishte me vete.


Ai ka dëshmuar në polici se ishte grabitur nga tre persona të armatosur, të cilët kishin shtënë me armë zjarri në ajër, si dhe e kishin kërcënuar se do ta vrisnin në rast se do t'i denonconte. Personat që e grabiten, sipas denoncimit të bërë nga viktima e kësaj grabitjeje, kishin qenë të tre të maskuar.


Grabitja


Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Vorë - Fushë-Krujë. Një emigrant i kthyer nga Italia një javë më parë ka rënë pre e grabitjes, ndërsa po kthehej për në banesën e tij. Ka qenë ora 23:00 e së shtunës, kur në afërsi të urës së fshatit Bilaj të Fushë - Krujës M.Shullazi ka rënë në pritën e tre personave me maska të armatosur.


Kur makina është afruar në rrezen e armëve të tyre, tre grabitësit, sipas dëshmisë, i kanë bërë shenjë të ndalonte, ndërsa kanë qëlluar me armë në ajër, për ta paralajmëruar se, nëse ai tentonte të ikte, do ta vrisnin.


Kjo e ka detyruar Shullazin t'u bindet urdhrave të tyre. Këta të fundit në anën tjetër të rrugës i priste një autoveturë. Më pas ai është larguar për në shtëpi, ku dhe ka lajmëruar policinë


Hetimet


Pas njoftimit të marrë, grupi i hetimit ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të fiksuar gjurmët e mundshme të grabitësve, ndërsa ka marrë edhe denoncimin e të dëmtuarit. Ky i fundit ka të dhënat e mundshme mbi gjatësinë e personave, veshjet, zërin. Gjatë ditës së djeshme mbi 20 vetë janë shoqëruar në polici, por pa mundur të gjehen autorët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›