Arrestohet i dyshuari për vrasjen e emigrantit
Arben Visha, dyshohet se është vrarë për hakmarrje pasi i kishte vrarë vëllain të arrestuarit në vitin '96
Policia gjen armën e krimit, ndërsa ndalon Barjam Darën në banesën e një kushëriri të tij, me akuzën e vrasjes
TIRANË- Dhjetë ditë pas vrasjes së Arben Vishës pranë banesës së tij në Tufinë, policia e kryeqytetit ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e emigranit, ndërsa dyshohet se ekzekutimi është kryer për hakmarrje. Në këtë pistë është duke hetuar edhe policia në lidhje me vrasjen e ndodhur më tepër se 10 ditë më parë në kryeqytet, ndërsa më parë, Visha ka pasur edhe probleme të tjera të cilat gjithsesi ai mendohet se i kishte mbyllur.
Bajram Dara, 41 vjeç, me banim në Tiranë, është arrestuar dje nga blutë në banesën e një të afërmi të tij në Tiranë, i dyshuar si personi që ekzekutoi Arben Vishën në rrugën "Myslim Keta", në kryeqytet, mbrëmjen e 12 nëntorit të këtij viti rreth orës 20.20 të mbrëmjes. Në momentet e arrestimit Bajram Darës i është sekuestruar edhe arma pistoletë tip "TT", me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, si dhe autovetura e tij, me të cilën sipas policisë dyshohet se është larguar nga vendi i krimit, sapo ka qëlluar mbi Arben Vishën.
Ndalimi i 41- vjeçarit me banim në Tiranë është realizuar nga oficerët e zyrës së Hetimit të Vrasjeve, ndërsa mësohet se prej të enjtes ai ishte zbuluar se ku strehohej. Pas kontrollit të befasishëm të policisë është ndaluar e më pas arrestuar, ndërsa përgatitej të largohej për strehim në një vend tjetër. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se vrasja e Arben Vishës është kryer për motive hakmarrjeje, pas vëllait të Bajram Darës, Fitim Dara nga Visha.
Policia e kryeqytetit i kishte përqendruar hetimet në pistën e hakmarrjes, duke iu rikthyer një vrasje të vitit 1997 në fshatin Vilcë të Tiranës që dyshohet të jetë përfshirë emigranti i ekzekutuar. Bajram Dara, akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Arben Visha, 39 vjeç, me banim në Tiranë me tre fëmijë, herë pas here emigronte në Greqi për të siguruar jetesën e familjes së tij. Ai u qëllua me armë zjarri pistoletë pranë banesës së tij, natën e 11 nëntorit të këtij viti.