E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, vdesin 2 shqiptarë, policia gjen pistoletë në makinë

Dy shqiptarë kanë humbur jetën në Itali si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në provincën e Centos, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë, nga mediat italiane mësohet se gjatë kontrollit të mjetit të shkatërruar gati plotësisht, policia ka gjetur një pistoletë, për të cilën kanë nisur hetimet. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet policore të vendit fqinj, sipas të cilave një tjetër shtetas shqiptar, i cili ndodhej në makinën e aksidentit, ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital. Sipas burimeve, aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë, e cila bëri që makina të dilte nga rruga. Sipas burimeve policore italiane, njëri prej pasagjerëve mbeti i vdekur në vend, ndërsa tjetri gjatë rrugës për në spital. Por një hije dyshimi dhe misteri ka rënë mbi ngjarjen, pasi karabinierët gjetën në makinë një pistoletë pa leje. Arma është duke iu nënshtruar ekspertizës, nga e cila pritet të mësohet nëse ajo është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale nga poseduesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›