E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Viktima" e Gërdecit paditet për mashtrim

jë "viktimë" e Gërdecit akuzohet për veprën penale të mashtrimit, pasi ka arritur të falsifikojë dëmet e shtëpisë, që pësoi çarje të lehta nga tragjedia e 15 marsit 2008. Prokuroria ka përfunduar hetimet për Bashkim Mashën, të cilin e akuzon për "mashtrim", ndërsa çështja mban numrin 2037 në Gjykatën e Tiranës. Gjyqtari i caktuar me short për të gjykuar këtë çështje është Altin Abdiu. Emri i të pandehurit Bashkim Masha do të bëhej i njohur pas tragjedisë. Në prononcime publike do të rreshtohej kundër shtetit, ndërsa kreu organizimin e disa familjeve për grevë dhe mori firmat e 15 kryefamiljarëve që u transferuan në kampin e Ministrisë së Brendshme në Golem. Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për grupet e vlerësimit të dëmeve pas tragjedisë së Gërdecit. Janë dy grupe me nga pesë zyrtarë që akuzohen për "shpërdorim detyre". Në dosjen e prokurorisë janë të pasqyruara të gjitha vlerësimet e gabuara nga ekspertët. Nga këto abuzime, shtetit shqiptar, përkatësisht fondet e qeverisë dhe të Bashkisë së Vorës, i është shkaktuar një dëm prej 207 milionë lekësh (të vjetra). Denoncimi është realizuar disa muaj më parë nga vetë Bashkia e Vorës për komisionet e vlerësimit. Sipas kërkesës për gjykim, disa banorë të fshatit Gërdec i kanë vlerësuar vetë dëmtimet në banesat e tyre, duke favorizuar fryrjen e faturave. Pas verifikimeve të disa shtëpive me probleme, prokuroria ka nxjerrë konkluzionin se vlerësimet kanë qenë të gabuara dhe se dëmi total është 20.752.654 milionë lekë "të vjetra". Hetuesit kanë nxjerrë në dritë një skemë abuzimi nga këta vlerësues. Në këmbim të një vlerësimi të "majmë" ata merrnin ryshfet nga të zotët e shtëpisë. Në të paktën 24 banesa janë konstatuar dëme të mëdha, ndërsa nuk përjashtohet abuzimi edhe te firmat private që operonin në zonën e prekur nga tragjedia e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›