E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidenti, vdesin 4 persona, në kërkim autori

28/12/2004  Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën 4 grave paraditen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:45 në Vorë, në kryqëzimin e autostradës me rrugën që vjen nga stacioni i trenit. Fuoriostrada me targa të Durrësit, e drejtuar nga Hajredin Allaraj, ka përplasur Vera, Bukurie, Zana Pecanin si dhe Roza Markun, të cilat kanë gjetur vdekjen. Dy nga viktimat ishin motra dhe dy të tjerat kunata me njëra-tjetrën. Ato banonin në qytetin e Vaut të Dejës së Shkodrës.

Aksidenti

Katër viktimat e aksidentit të djeshëm vinin nga Shkodra. Ato posa kishin zbritur nga treni dhe po merrnin rrugën drejt qendrës së Vorës, nga ku do të udhëtonin në Tiranë me furgonat e linjës. Por nuk kanë mundur të bëjnë veçse disa hapa. Te kryqëzimi i rrugës së stacionit hekurudhor me autostradën Tiranë-Durrës, janë kthyer në viktimat e një fuoristrade. Makina në fjalë, drejtuar nga Hajredin Allaraj, mbartte dhe babain e gruan e shoferit. Burime nga vendi i ngjarjes, bëjnë të ditur se automjeti qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Pak metra larg kryqëzimit, fuoristrada ka dalë nga rruga, duke rënë në kanalin përbri. Për fat të keq, mjeti nuk ka ndaluar menjëherë, duke vijuar të ecë më tej. Si pasojë ka marrë përpara 4 kalimtare. Vera, Zana dhe Bukurie Pecani si dhe Roza Marku, janë tërhequr zvarrë afro 20 metra. Përplasja me gurët, xhaden dhe inertet përgjatë kanalit, i kanë copëtuar keqas viktimat. Gratë nga Shkodra nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të shpëtuar nga rrotat e makinës. Kur fuoristrada ka arritur të ndalet, rezultoi se bilanci ishte tragjik. Të tre gratë me mbiemrin Pecani ishin shuar qysh në përplasjen e parë. Të shtrira sa në një cep në tjetrin, përgjatë xhades, viktimat dëshmonin më së miri tmerrin që përjetuan në luftë me vdekjen. Viktimën tjetër, Roza Markun, banorët e shtëpive përreth, që shkuan menjëherë në ndihmë të të dëmtuarve, u rrekën ta nxirrnin nga kthetrat e vdekjes. E lënduara rëndë u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak për t'u mjekuar. E megjithatë, ajo dha shpirt me të vënë këmbë në QSUT, duke e çuar në 4 numrin e viktimave të aksidentit tragjik të Vorës.

"Vrasësi"

Për të mos u mjaftuar me faktin se shoi 4 jetë njerëzish, drejtuesi i automjetit pati kohë të mendohej dhe për të shpëtuar nga prangat e policisë. Të njëjtat burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, Hajredin Allaraj qëndroi atje vetëm pak minuta. Së bashku me babanë dhe të shoqen, ata dolën menjëherë nga fuoristrada e shkatërruar dhe ndenjën jashtë rrugës për të mbledhur veten. Megjithëse pa në shesh viktimat të katandisura si mos më keq, 25-vjeçari preferoi të mos jepte llogari për krimin. Ndërsa dëgjoheshin gjithnjë e më pranë sirenat e makinave të policisë rrugore, që i afroheshin vendit të aksidentit, Allaraj bëri realitet atë ç'ka mendonte. Pas një bisede të shkurtër me të afërmit, ai u largua prej andej. Me një kërcim doli në anën tjetër të autostradës dhe u zhduk duke marrë kodrat. Duke përfituar nga rrëmuja dhe njerëzit e shumtë që kishin populluar kryqëzimin, ai nuk e pati aspak të vështirë të arratisej. Pak çaste pas tij, të njëjtën gjë tentoi të bënte dhe e shoqja. Për të mos dëshmuar kundër bashkëshorit, e reja vendsoi ta ndiqte. Por më parë kërkoi të zhdukte dokumentacionin në makinë. E teksa ishte zhytur me krye në kroskotin e fuoristradës për të gjetur shkresat që e faktonin si autor të aksidentit Hajredin Allaraj, mbërriti policia. Efektivat e qarkullimit rrugor nuk e bënë të gjatë, duke e shoqëruar menjëherë në komisariat atë dhe babanë e moshuar të shoferit. Ndërsa të shoqëruarit transportoheshin për në Tiranë, grupi hetimor u mor me analizimin e vendit të ngjarjes. Rezultoi se shkak i vdekjes së shkodraneve ishte dalja e fuoristradës nga rruga, pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara. Paskëtaj, blutë transportuan në Institutin e Mjekësisë Ligjore trupat e pajetë të 3 grave të familjes Pecani. Nuk dihet ende se çfarë lidhjeje fisnore kanë viktimat me njëra-tjetrën. Sakaq, burime nga policia e Tiranës saktësojnë se është identifikuar autori si dhe lokalizuar vendi ku qëndron i fshehur. Kapja e tij nuk është veçse çështje kohe.

Ura e Limuthit "vërdallis" udhëtarët

Prej afro 1 jave, treni i linjës Shkodër-Tiranë ndalet në Vorë. Anipse nuk është qyteti i vogël stacioni i fundit i gjigantit hekurudhor që vjen nga Veriu i vendit, mashinistët janë të detyruar t'i fikin lokomotivat atje. Një amortizim në vendin e quajtur "Ura e Limuthit", shkakton bllokimin e shinave. Udhëtarët e trenit shprehen se, ndonëse kanë kaluar rreth 8 ditë nga prishja e hekurudhës, nuk është marrë asnjë masë për rikuperimin e dëmit. Udhëtarët ndalojnë në Vorë dhe më pas marrin furgonë të linjës për të shkuar në Tiranë. Udhëtarët e trenit shtojnë se 1 javë është kohë e mjaftueshme për të ndërhyrë tek ura e shumëpërfolur. Por, duket se moti i keq që ka sunduar gjatë këtyre ditëve, e ka bërë të pamundur punën në këtë sektor. Por, nuk është ky i vetmi problem i tyre. Stacioni i trenit me qendrën e qytetit janë disi larg dhe rruga që i lidh paraqet rrezikshmëri të lartë. Rruga del menjëherë në xhaden nacionale, ku ka një fluks tejet të madh automjetesh në qarkullim. Që nga vënia në funksionim e autostradës, askush nuk është kujdesur të ndërtojë një mbikalim apo nënkalim për t'u mundësuar kalimtarëve lëvizjen nga një anë në tjetrën. Mbikalimet janë të paktë dhe shumë larg njëri-tjetrit. Ky fakt i detyron banorët e zonës përreth që të rrezikojnë jetën, duke kapërcyer masën e betonit që ndan kahet. Numërohen një sërë viktimash që shuhen tek hidhen nga betoni. E megjithatë, situata vijon të mbetet e njëjtë. Për më tepër po bëhet dhe më negative se më parë. Sidomos kur ngjet që automjetet marrin përpara kalimtarë që janë në rrugën e tyre, si në aksidentin e fundit. F.Bramo

Viktimat, dy vëllezër dhe nipi

Ktheshin nga Greqia dhe përfundojnë të vdekur në gjysmën e rrugës që i shpinte në vatrën familjare. Data 23 dhjetor ka shënuar një aksident automobilistik në fshatin Vorozen të Kavajës. Një autobus i linjës Elbasan-Durrës, me targa 5706, drejtuar nga Xhevahir Çela, bëri një parakalim të gabuar në kah të kundërt. Për pasojë doli jashtë rrugës mjeti tip "Nissan" me targa greke YIM 637359 të drejtuar nga Ylli Tafa. Kësisoj, mbetën të vdekur në vend që të gjithë personat që udhëtonin me të si dhe u plagosën lehtë 3 udhëtarë të autobusit. Burime policore saktësuan se, Dritan Tafa 28 vjeç dhe Ylli Tafa, 36 vjeç, ishin vëllezër, ndërsa viktima e tretë, Luan Balluku, 27 vjeç, ishte nipi i tyre. Ata ishin nga fshati Malbardhë i Milotit. Policia arrestoi Xhevahir Çelën, pasi grupi hetimor e cilësoi fajtor për aksidentin e rëndë.

Një motër vdes, tjetra plagoset

Data 19 prill e këtij viti shënoi një aksident të rëndë automobilistik në afërsi të Urës së Limuthit. Burime policore u shprehën asokohe se ngjarja ndodhi rreth orës 10.45 në rrugë-kalimin afër fshatit Picar. Treni i linjës Vlorë–Tiranë ka përplasur mjetin "Benz" veturë me targa TR 8860 H, autoshkolla “Autocen” me pronar dhe drejtues mjeti shtetasin Muharrem Hoxha. Si pasojë e përplasjes janë aksidentuar tri kursante, të cilat janë dërguar në Spitalin Ushtarak. Megjithë ndihmën e marrë kanë humbur jetën shtetaset Silva Abaz Hoxha, 21 vjeç dhe Ana Lili Çeta, ndërsa ka ngelur e plagosur rëndë Analiza Abaz Hoxha. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit nr.4 dhe të Qarkullimit Rrugor, të cilat sqaruan rrethanat e ngjarjes. Mësohet se njëra nga viktimat e plagosura ishin motra dhe nuk kishin veçse 3 muaj që ishin sistemuar në Tiranë së bashku me familjen. Policia arrestoi Muharrem Hoxhën, i cili gjendet aktualisht i dënuar me 15 vjet burg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›