E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zogaj: Këtë vit është më e vështirë të manipulohen votimet

28/12/2004  Deputeti aleancist, Preç Zogaj, e konsideron bllokimin e miratimit të hartës zgjedhore si tentativën e fundit të maxhoranës për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2005. Sipas deputetit Zogaj, mundësitë e manipulimit këtë vit janë tepër të pakta. Kjo për shkak të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, që janë të interesuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. "Përvoja e këtyre shtatë viteve të fundit ka treguar se socialistët i qarkullojnë marifetet elektorale nga zgjedhjet në zgjedhje. Socialistët duket se kanë pasur dhe kanë një llojë prirje për ta lënë në heshtje ose për ta zvarritur këtë problem, me qëllim që të vënë mbarë politikën përpara faktit të kryer, kur dhe koha të ketë mbaruar. Tashmë jemi në këtë debat shumë të madh që ka mbërthyer mbarë politikën shqiptare dhe që ngërthen gjithë historinë e përballjeve politike në lidhje me zgjedhjet", tha Zogaj. Sipas tij, një tjetër mundësi për manipulimin e zgjedhjeve mbetet përdorimi i parave të pista, porqë, sipas Zogajt, duhet t'u qartësohet në të ardhmen. Sipas tij, deklaratat e socialistëve, se përgjegjëse për bllokimin e reformës zgjedhore është opozita, janë emocionale. Ai u shpreh i bindur se situata do të zhbllokohet, pavarësisht pretendimeve të mazhorancës. "Me të njëjtën gjuhë kanë folur Nano e Ruçi edhe për problemin e balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në shtator dhe tetor të këtij viti, Nano bëri betimin e madh se nuk do lejonte balancimin e KQZ-së. Mirëpo për shkak të presionit ndërkombëtar, por edhe duke njohur forcën e opozitës, ata e pranuan balancimin e KQZ-së. Ne kemi bindjen se e njëjta gjë do të ndodhë dhe me ndarjen e zonave elektorale. Jo se duam ne, jo se ne jemi tekanjozë (na mbushet mendja për një gjë dhe e duam patjetër), por e ka marrë vesh edhe bufi se nuk mund të shkohet në zgjedhje me këto zona", tha Zogaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›