Dokle: "Berisha ecën mirë në rrugët që ne shtruam"
28/12/2004 Zvëndëskryeministri Namik Dokle, në një takim me socialistët e Fierit dhe Lushnjës, është shprehur se situata nuk është si e paraqet opozita, por qeveria ka bërë investime të dukshme. Duke ironizuar kreun e PD-së për ndryshimet e rrugëve, Dokle tha se dhe "Berisha ecën kollaj, madje edhe në ato muret prej betoni që kemi ndërtuar ne, ka edhe nga ata që shkruajnë rroftë Berisha, të cilët e dinë mirë se i kemi ndërtuar ne". Zvëndëkryeministri u ka premtuar banorëve të kësaj komune investim në sistemin e vaditjes, që është kthyer në një shqetësim për fermerët. Sipas Dokles, një vend të rëndësishëm në këto investime kanë zënë dhe fondet e përdorura nga komuna përveç fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit. Gjithsesi, banorët janë shprehur për "Metropol" se ka akoma shumë punë për të bërë. Në këtë takim, Dokle është shoqëruar nga deputetët Bardhyl Agasi dhe Fatmir Xhindi. "Qeveria i dedikohet të gjithë shqiptarve jo vetëm ndaj elektoratit socialist", ka theksuar në fjalën e tij numri dy i qeverisë. Duke radhitur investimet në zonën e komunës së Kumanit dhe Kurjanit, Dokle nuk ka harruar të sulmojë dhe liderin e Partisë Demokratike, Sali Berishën, duke bërë krahasime me investimet e kryera nga qeveria aktuale me atë të Berishës. Dokle tha se "qeveria në këtë fundviti për herë të parë u kujdes më shumë për pensionistët, duke u dhënë atyre një shpërblim, i cili u përgojua jo rrallë nga disa gazeta opozitare. Ky shpërblim, i cili u bë në një vit, kap shifrën 17 milionë dollarë, me të cilat do të bëheshin 17 km rrugë, kur Berisha për 5 vjet bëri vetëm 6 km rrugë në Shqipëri", tha Dokle.