E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohen dy ushtarë italianë të KFOR-it

ELBASAN/ Mosnjohja e terrenit ka qenë një nga shkaqet që ka shkaktuar daljen nga rruga të dy trupave paqeruajtëse

ELBASAN- Dy ushtarë italianë që shërbenin në KFOR janë dëmtuar si pasojë e një aksidenti të regjistruar kur autokolona po lëvizte në drejtim të Qafë-Thanës. Automjeti me të cilin udhëtonin Pelegrina Kaputa 30 vjeç dhe Pietro Januçi 31 vjeç, u shkëput nga autokolona dhe përfundoi jashtë rruge. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Kthesat e Pishkashit, në afërsi të Përrenjasit. Burime nga Policia Rrugore, e mbërritur menjëherë në vendin e aksidentit, u shpreh se një autoambulancë transportoi dy të plagosurit në spitalin e Librazhdit për të marrë ndihmën e parë. Pasi morën mjekimet e nevojshme, dy ushtarët u nisën drejt kryeqytetit për një mjekim më të specializuar. Sipas të dhënave të para, aksidenti erdhi si pasojë e humbjes së kontrollit nga 31- vjeçari Januçi, i cili drejtonte mjetin me targa italiane BG 653, pjesë e autokolonës së KFOR-it e cila shkonte drejt Maqedonisë, me destinacion Kosovën. Nga burime policore bëhet e ditur se mjeti që ishte në mes të kolonës, është shkëputur si pasojë e mosnjohjes së rrugës dhe si pasojë e mungesës së vëmendjes nga ana e drejtuesit të mjetit. Kthesat e forta të kësaj rruge kanë bërë që drejtuesi të mos ketë mundësi të manovrojë dhe për pasojë të dalë jashtë rruge. Fatmirësisht, vendi ku është përmbysur makina nuk ka qenë i lartë dhe dy ushtarët kanë shpëtuar mrekullisht nga pasoja më të rënda. Autokolona ka vazhduar rrugën e saj ndërsa për dy ushtarët janë kujdesur oficerët e lartë që drejtonin autokolonën e forcave paqeruajtëse. Aksidenti krijoi probleme edhe në qarkullimin e mjeteve, pasi për disa minuta lëvizja në këtë segment u bllokua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›