Rrëfimi: Nuk jam vrasësi i tim eti
SHKODËR - “Nuk jam unë vrasësi i babait tim. Persona të tjerë më detyruan ta marr përsipër këtë krim”, pohoi para trupit gjykues Fatos Mustafa, i cili mohoi vrasjen e të atit më 27 korrik 2001. Në deklaratën e tij, Fatos Mustafa përveçse mohoi të jetë autor i vrasjes së Shyqyri Mustafës, i kërkoi prokurorisë t’i sigurojë mbrojtje, pasi, sipas tij, po kërcënohet me jetë në burgun e Fushë-Krujës, ku dhe vuan dënimin për këtë vrasje. Sipas tij, disa persona e kërcënuan se do ta zhdukin, dhe kjo për shkak të dëshmisë së tij për vrasjen e babait së tij më 27 korrik 2001. Gjashtë vjet pas kësaj ngjarjeje, kolegji penal i Gjykatës së Lartë e mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, objekt i së cilës ishte rishikimi i vendimit të Gjykatës së Shkodrës i datës 27 maj 2002. Ky vendim deklaronte fajtor të akuzuarin Fatos Mustafaj për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, për vrasjen e babait të tij Shyqyriut dhe e dënonte me 15 vjet burgim. Nga burgu ku vuante dënimin, Fatos Mustafaj, në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme dërgoi kërkesën për rishikim të vendimit, kërkesë e cila u shkrua nga një person tjetër në prani të Mustafaj, pasi ky është analfabet. Gjykata e Shkodrës, sikurse citohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, gjatë gjykimit të kësaj çështjeje nuk kishte marrë në shqyrtim dy prova, përkatësisht deklarimet e Guximtar dhe Farie Mustafaj, pasi nuk ishte bërë gjetja dhe sjellja e tyre në gjykatë. Relatori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani, drejtor i drejtorisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, në paraqitjen e provave të reja, të cilat përputhen me provat e mëparshme dhe deklarimet në polici të të dënuarit Fatos Mustafaj, vëllait, motrës dhe tezes, që ka pretenduar se vendimi i Gjykatës së Shkodrës ishte i gabuar. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë në vendimin e saj të datës 9 korrik 2008 vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkodres dhe rigjykimin e çështjes po në këtë gjykatë, por me një tjeter trup gjykues.