E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje me thika në mes të qytetit

 

KONFLIKTI/ Një grup të rinjsh shkaktuan panik tek banorët teksa pas një sherri nisën përdorimin e thikave

Skena e frikshme vuri në alarm banorët, ndërsa policia arrestoi njërin prej të rinjve të përfshirë në grindje

KORÇË- Policia e Korçës parandalon një vrasje të sigurt, teksa paniku ka përfshirë banorët e këtij qyteti pas skenave të çmendura me makina që krijuan një grup të rinjsh gjatë një sherri. Gjithçka ka ndodhur në zemër të Korçës disa metra larg Katedrales ku pas një sherri për motive të dobëta nga dy grupe të rinjsh, ka nisur dhe përdorimi i thikave për ekzekutimin e njëri-tjetrit. Skena e frikshme ka vënë në alarm banorët, ndërsa policia ka arrestuar dhe njërin prej të rinjve, teksa protagonisti kryesor i kësaj ngjarjeje, që falë ndërhyrjes në kohë të bluve nuk ka përfunduar në një krim të radhës, është shpallur në kërkim nga policia.

Ngjarja

Dy 24-vjeçarë kanë dhënë dhe shfaqjen që ka tronditur banorët dhe kalimtarë të shumtë në Korçë, të cilët kanë asistuar në këtë krim të mbetur në tentativë. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka nisur rreth orës 14:00 të së enjtes, kur Gaqo Peci, pas një sherri me një tjetër bashkëmoshatar, është përpjekur ta therë me thikë dhe më pas ta shtypë me automjetin e tij Fatjon Karafilin, edhe ky banor i këtij qyteti. Ende nuk bëhen të qarta motivet e sherrit, ndërkohë që Gaqo Peci duket se e ka nisur i pari hakmarrjen. Fatjon Karafili më pas duke dashur t’i shpëtojë hakmarrjes dhe bashkë me tre shokë të tij: Marko Hysollin, Elton Kovaçin dhe Andrea Muçon kanë lëvizur me makinë me shpejtësi nëpër rrugët e Korçës, duke shkaktuar panik tek të gjithë kalimtarët.

Arrestimi

Policia, pas marrjes së informacionit, është vënë në ndjekje të dy makinave. Fillimisht blutë kanë bllokuar mjetin e drejtuar nga Fatjon Karafili që ishte shënjestra e hakmarrjes. Në këto momente, shoku i tij, Marko Hysolli, është larguar me vrap nga mjeti, ndërsa policia e ka prangosur dhe i ka gjetur me vete një pistoletë tip TT me 6 fishekë. Pas kësaj, i riu është arrestuar në kushtet e flagrancës për “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Nga ana tjetër, policia e juglindjes është vënë në kërkim të Pecit, të riut i cili është larguar bashkë me mjetin e tij. 24-vjeçari Fatjon Karafili rezulton të jetë vënë në pranga 3 vjet më parë, pasi në lagjen nr.17 aksidentoi rëndë një 70-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›