E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohen në punë e sipër, vdesin dy persona

57-vjeçari rrëzohet nga lartësia; në Shkodër pema zë nën vete të riun

Dy persona kanë humbur jetën aksidentalisht pak pas mesditës së djeshme, në Shkodër dhe në Fier. Ndërsa në Fier viktima ka qenë një punëtor ndërtimi, në Shkodër 32-vjeçari Arben Gjeçaj ka humbur jetën teksa punonte pranë banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Stajka, ku Gjeçaj ka qenë duke prerë një pemë në oborrin e shtëpisë së tij me motosharrë. Në një moment pakujdesie ai është goditur nga pema dhe për pasojë ka humbur jetën brenda pak minutash. Megjithëse është tentuar të dërgohet me shpejtësi për në spitalin rajonal të Shkodrës, i riu nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve, duke humbur jetën pa mbërritur në spital. Policia e ka klasifikuar ngjarjen si aksidentale, e shkaktuar nga vetë viktima në një moment pakujdesie. Ndërkaq, në Fier, 57-vjeçari Taulla Koçi ka rënë aksidentalisht nga një lartësi dhe për pasojë ka humbur jetën pas pak minutash në spitalin rajonal të Fierit. Policia është njoftuar për ngjarjen nga bluzat e bardha dhe e ka pasur mjaft të vështirë identifikimin e tij, për shkak se ai nuk mbante me vete asnjë mjet identifikimi. Mësohet se 57-vjeçari është çuar i vdekur pranë urgjencës së spitalit të Fierit nga tre persona të veshur me kominoshe pune, të cilët më pas janë larguar menjëherë. Mjekët kanë njoftuar policinë lokale, ndërkohë që kjo e fundit ka konfirmuar zyrtarisht se Koçi, banor i lagjes “Liri” të qytetit të Fierit, ka gjetur vdekjen si pasojë e hematomave të marra pas rënies nga lartësia. Identifikimi i viktimës është bërë disa orë më pas, pasi policia ka shpërndarë të dhënat e viktimës jo vetëm te mediat lokale, por edhe tek inspektorët e lagjeve të qytetit dhe fshatrave. Ndërkaq mësohet se viktima ishte punësuar dje për të prishur një mur. Në një moment pakujdesi ai është rrëzuar dhe ka humbur jetën brenda pak minutash. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes për të zbardhur skenën e aksidentit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›