Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg trafikantët e armëve
Arif Zelo dhe Ermir Dalipaj janë lënë në burg nga togat e zeza. Dy personat e akuzuar për trafik janë paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokurori ka kërkuar për ta arrest në burg, ndërsa mbrojtja, masë më të zbutur duke paraqitur argumente në favor të klientëve të saj. Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues ka vendosur që të lërë në burg Zelon dhe Dalipajn. Këta persona janë arrestuar në flagrancë më 3 mars nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë nën akuzën e trafikimit të armëve nga Mali i Zi në Shqipëri, për shitjen dhe tregtimin e tyre për qëllime përfitimi. Gjithçka është realizuar pas një operacioni policor nën emrin “Qerreti II”. Pas operacionit policia sqaroi se këta persona u kapën në flagrancë në segmentin nacional në afërsi të fshatit Qerret në Kavajë, gjatë momenteve të qarkullimit me automjetin tip “Benz”, me targa LU 0692 C, ku pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetin e tyre, u bllokuan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të tipit pistoletë “Zastava” me 50 copë fishekë, si dhe një silenciator. Gjatë kontrollit të banesave iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale edhe dy pistoleta të tjera model 27 dhe “Zastava” model 70’, si dhe një armë zjarri automatik me 50 fishekë të tjerë pistolete. Po sipas burimeve policore, në sajë të hetimeve, u arrit në përfundimin se shtetasit e ndaluar i siguronin armët duke i blerë në Mal të Zi, më pas duke kaluar në mënyrë ilegale përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, me qëllim tregtimin në Shqipëri të armëve e municioneve dhe përfitimin monetar të tyre.
#