Mashtruesit, në 2 muaj, në 88 dosje në Gjykatë
Mashtrimi është një mënyrë për të përfituar lehtë atë që nuk e arrin dot. Në situatën e vështirë ekonomike, ato janë ndoshta një mënyrë për të përfituar. Për dy muajt e parë të këtij viti, pra që nga 6 janari e deri më 6 mars, duke iu referuar dosjeve që janë regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës të bie në sy fakti se 88 dosje presin marrjen e vendimit nga togat e zeza. Referuar këtyre statistikave, 28 dosje janë shqyrtuar dhe për 26 prej tyre është dhënë vendimi, ndërsa 2 janë pushuar dhe refuzuar. Akuza e ngritur për këtë rast është mbështetur në nenin 143 dhe 143/1 të Kodit Penal, për të parin parashikohet gjoba deri në 5 vjet burg dhe për të dytin 3 deri në 10 vjet burg. Në radhën e të pandehurve 26 prej tyre janë gra. Në një pjesë të rasteve, personat kanë falsifikuar dokumentet për të përfituar pension të pamerituar.
Pension i pamerituarDuke u nisur nga lista emërore mbi tetëmbëdhjetë raste të gjykuara janë përfituesit e pamerituar të pensioneve. Vendimet për ta janë me gjobë që përcakton edhe afatin brenda 12 muajsh që nga koha e dhënies së vendimit të formës së prerë. Por, gjoba e vënë nga gjykata është më e vogël se shuma që personi ka përfituar nga koha kur ka nisur të marrë pensionin e pamerituar. Kjo për faktin se kur jepet vendimi, mbahet parasysh kërkesa e të pandehurve për gjykim të shkurtuar ku përfitohet 1/3 e dënimit. Në një vendim të gjykatës shkruhet: “Në këto kushte rezultoi e provuar se i pandehuri M.L, duke përdorur një certifikatë të gjendjes civile të falsifikuar, ka përfituar për disa vite pension në mënyrë të padrejtë, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 867.766 lekësh. Certifikata e falsifikuar është përdorur si mjet për të realizuar përfitimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin e pensionit, duke paraqitur të dhëna të rreme. Megjithëse i pandehuri pretendon se nuk ka dijeni për certifikatën e falsifikuar, nga ana subjektive provohet dijenia e tij, pasi ai ka përfituar pension pa mbushur moshën”. Kur jep vendimin, kryetari i trupit gjykues shprehet për deklarimin fajtor të të pandehurit M.L për veprën penale të “Mashtrimit” dhe në bazë të nenit 143/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 270.000 lekë gjobë. Por në zbatim të nenit 406 të Kodit Penal, uljen e 1/3 së masës së këtij dënimi dhe jep përfundimisht për të 180.000 lekë gjobë, e cila duhet paguar prej tij brenda 1 viti nga dita që ky vendim merr formë të prerë.
PërfitimiNuk mungojnë edhe shembujt kur personat përfitojnë lekë, të cilat i marrin në formën e huasë e pastaj nuk i kthejnë apo dhe për të realizuar diçka që nuk e kryejnë kurrë. Sipas një vendimi të marrë në muajin shkurt, i pandehuri E.B, ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 1.370.000 lekësh të reja për asfaltimin e një rruge që lidh Komunën Grabian me qytetin e Lushnjës dhe konkretisht vendin e quajtur “Tre urat” deri tek “Rotondoja”. Për mosrealizimin e punimeve, ai është kallëzuar në prokurori dhe më pas gjykata ka vendosur ta dënojë me tre vjet burg dhe do të kryejë vetëm 2, pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Ky është një rast për marrjen e parave për punë publike, por nuk mungojnë edhe kallëzimet për raste mashtrimi të individëve.
#