Rrëshqitja e tokës rrezikon varrezat e një fshati
Rrëshqitja masive e tokës rrezikon dëmtimin e varrezave të fshatit Kashtëbardhë të Komunës Karbunarë e Vogël në Rrethin e Lushnjës. Banorë të këtij fshati i janë drejtuar komunës dhe nënprefekturës së Lushnjës për ndihmë, por ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ata tregojnë se te banesat e tyre po dallohen shenjat e para të dëmeve nga rrëshqitje, ndërkohë që muri rrethues i varrezave është zhvendosur dhe pothuajse ka rënë. “Rreth 20 banesa në fshat janë dëmtuar. Por më shqetësuese janë varrezat. Muri rrethues është shembur dhe në disa pjesë të tij është rrëzuar. Ka rreth 10 ditë që muri ka thelluar dëmtimet që kanë prekur edhe varret”, ka thënë një nga banorët e fshatit. Dëmtimet konfirmohen edhe nga kryeplaku Met Qerreti. Ai ka thënë se së bashku me një pjesë të banorëve i është drejtuar komunës për të ndërhyrë, por kjo e fundit në mungesë të fondeve nuk ka mundur të ndërhyjë. Pas komunës, këshilli i fshatit i është drejtuar nënprefekturës së Lushnjës, por dhe andej nuk është marrë përgjigje pozitive.
#