Palombarët e RENEA-s, njësia që përdoret për Emergjenca Civile
Palombarët e RENEA-s janë një njësi e vogël e zhytjeve, por puna e tyre po zëvendëson grupin e munguar special të Emergjencave Civile. Ata janë të specializuar për zhytje deri në 45 metra, por i kemi parë shpesh të kryejnë operacione kërkimi edhe në lumenj e kanale. Vetëm vendi ynë e ka luksin të përdorë një njësi kaq speciale për kërkime që mund të bëhen nga struktura të tjera. Megjithatë, ende nuk ka një njësi si kjo, jo vetëm në strukturën e Emergjencave Civile, por edhe në Ushtrinë Shqiptare. Kjo e dyta është përpjekur të krijojë një grup të tillë, por deri tani nuk kemi dëgjuar të përdoren në operacione kërkim-shpëtimi. Përgatitja e tyre është bërë për ndërhyrje speciale dhe ata janë pjesë taktike e RENEA-s të përgatitur për të ndërhyrë në rastet e pengmarrjes së një anijeje nga persona të armatosur, ku dihet se në këto raste është e vështirë të ndërhyhet nga ajri. Ata kanë të gjitha cilësitë e një speciali e madje dallohen nga ata për shkak të aftësisë për t’u zhytur në thellësi, duke siguruar befasinë taktike për kundërshtarin. Me gjithë angazhimin e tyre në operacione emergjence, specialët nuk janë kursyer të shkojnë atje ku i kërkojnë dhe kryejnë detyrën që iu ngarkohet. Ata mendojnë se të tilla operacione janë humane, ndaj dhe nuk janë kursyer për t’i realizuar me sukses. Vetëm në dy muajt e parë të vitit ata kanë kryer rreth 20 operacione, kryesisht gjetjen e trupave të pajetë të personave që janë mbytur në lumenj, rezervuare apo liqene. Madje, ata sapo u kthyen nga shërbimi treditor në Gramsh, janë nisur për Shkodër për të kërkuar në thellësitë e liqenit trupin e një 45-vjeçari, i cili ka humbur jetën më 13 shkurt.
Operacionet e vështiraNjësia e Zhytjes, që shpesh jemi mësuar t’i quajmë palombarë, ka kryer thuajse të gjitha operacionet në rastet e mbytjeve, në Fier, Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Sarandë, Tiranë, Shkodër etj. Ata janë të bindur, edhe pse në ndonjë rast kostumet e tyre speciale, mjaft të shtrenjta, kanë pësuar dëmtime nga kërkimet në lumenj. Rasti më i freskët është ai i kërkimit të trupave të pajetë të katër personave që u mbytën në aksin rrugor Gramsh-Korçë më 27 shkurt, ngjarje, detajet e së cilës u mësuan një ditë më pas. Kërkimet e vendorëve nuk kishin mundur të gjenin asnjë prej të mbyturve ditën e parë. Më 1 mars, njësia e RENEA-s u nis drejt Gramshit dhe menjëherë në vendin e ngjarjes 45 kilometra larg qytetit. Ata nisën menjëherë kërkimet së bashku me banorët dhe policinë vendore. Ndërsa terreni i thyer ua vështirësonte punën, specialët kishin kundër edhe kushtet atmosferike. Efektivat e RENEA-s kanë pikasur rreth orës 10:00 të 1 marsit dy trupa të pajetë dhe i kanë nxjerrë ata në anë. Kufomat u gjetën 27 kilometra larg vendit të ngjarjes. Identifikimi i tyre u bë më pas nga familjarët. Rrobat e trupit iu dhanë mundësinë të afërmve të përcaktonin se dy të pajetët ishin Petrit Ahmeti dhe Behar Senkollari. Specialët vazhdojnë kërkimet dhe pasdite ata do të shquanin një tjetër të mbytur kur edhe pse terreni dhe rrjedha e fortë e lumit i pengonte. Trupi i përkiste 18-vjeçarit Lirian Balla, 15 kilometra larg vendit të aksidentit. Nxjerrja e tij është bërë në orët e vona të mbrëmjes me ndihmën edhe të disa banorëve të fshatit. Palombarët janë kthyer të lodhur në ambientet e hotelit ku ata ishin akomoduar për t’u çlodhur. Ata do të rinisin kërkimet mëngjesin e ditës së hënë nën kohën e keqe dhe rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit si asnjë herë më parë. Dy ditë me kërkime 12-orëshe nuk sollën asnjë rezultat. Ato u ndërprenë për arsye të errësirës dhe lodhjes. Vetëm më 4 mars, pas shumë kërkimesh, u gjet viktima e katërt e aksidentit të së shtunës në Gramsh. Sipas specialëve, trupi i pajetë u gjet rreth 35 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti, ndërkohë që trupi ka pësuar dëmtime të shumta nga koha e gjatë e qëndrimit në ujë.
Në ShkodërKur kanë kryer me sukses detyrën në Gramsh, njësia e zhytjes së RENEA-s është kthyer në kryeqytet, për të pushuar në pritje të një tjetër operacioni. Vetëm 24 orë më pas, ata janë urdhëruar për të kryer një tjetër kërkim. Këtë herë do të ishin në Shkodër për të gjetur trupin e pajetë të 45-vjeçarit Agim Kurti. Ngjarja ka ndodhur më 13 mars, kur dy persona kanë humbur jetën në ujërat e liqenit të Shkodrës, ku kishin dalë për të peshkuar. Dy peshkatarët, njëkohshëm kushërinj, Kujtim Kurti, 39 vjeç dhe Agim Kurti, 45 vjeç, janë nga fshati Kçar i Poshtëm i Komunës Gruemirë në Malësinë e Madhe. Që ditën e parë në distancë të largët nga vendi ku dyshohet se është mbytur, u gjet trupi i të ndjerit Kujtim Kurti, por kërkimet u ndërprenë për shkak të kushteve të motit dhe shërbimit në Gramsh. Dje njësia speciale ka kryer zhytje në thellësinë 12 metra, por pa mundur të gjejë trupin e pajetë të 45-vjeçarit. Pasdite kërkimet u ndërprenë për shkak të dallgëve të liqenit, i cili pengonte punën e zhytësve. Kërkimet do të vazhdojnë sot dhe në ditët në vazhdim deri në gjetjen e kufomës, por hapësira e madhe e kërkimit ua bën edhe më të vështirë suksesin.
#