E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset trafikanti i fëmijëve, e liroi gjykata

Agim Xhambazi u la në “arrest shtëpie”, por pak para dënimit, ai largohet nga banesa. Policia e shpall në kërkim

Arratiset trafikanti i fëmijëve, i cili ishte lënë nga Gjykata për Krimet e Rënda në “arrest shtëpie”. Liria e Agim Xhambazit, i ka kushtuar shumë drejtësisë, për të cilin ka shpenzuar para që ta sjellë nga Greqia në Shqipëri, tashmë i duhet sërish që ta gjejë dhe ta çojë në qeli. Policia e kryeqytetit është njoftuar për arratisjen e Xhambazit dje dhe menjëherë e ka shpallur në kërkim, si dhe ka njoftuar të gjitha pikat e kalimit të kufirit, me qëllim që të mos kalojë jashtë vendit. Ai akuzohet për trafikimin e pesë fëmijëve të tij, që i dërgonte në Greqi dhe i shfrytëzonte për të lypur. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2001, ndërsa më 10 prill të vitit 2008, ai u arrestua në Greqi dhe më pas u ekstradua drejt vendit tonë. Por, kohë më vonë, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi për Xhambazin “arrest shtëpie”. Dje, vetëm pak kohë para se të jepej dënimi për të, ai është arratisur. Menjëherë është njoftuar policia, e cila e ka shpallur në kërkim, për të cilin veç akuzës së trafikut të fëmijëve, i shtohet edhe ajo e largimit nga vendi i izolimit. Nga hetimet ka rezultuar se Agim Xhambazi, nga Korça, si dhe pesë fëmijët e tij, në vitin 2001 kanë shkuar në Greqi përmes kalimit të paligjshëm të kufirit, pa u pajisur me dokumente të rregullta. Ata janë vendosur në qytetin e Athinës, ku kanë qëndruar në një banesë me qira të dhënë nga nëna e Agim Xhambazit. Pas disa ditësh qëndrimi në Athinë, i dyshuari ka detyruar bashkëshorten dhe pesë fëmijët të lypnin dhe më pas fitimet e arritura t’ia dorëzonin atij”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, mësohet se shfrytëzimi i gruas dhe fëmijëve nga i pandehuri ka vazhduar për shtatë vjet, gjatë të cilave ata kanë lypur në rrugë. Pas kësaj periudhe të dëmtuarit kanë arritur të largohen nga tutori i tyre dhe janë vendosur në ambientet e një shoqate humanitare, duke bërë më pas edhe denoncimin. Tashmë, mendohet se ai po tenton sërish të arratiset drejt Greqisë, ndërkohë që policia ka porositur të gjitha pikat e kalimit kufitar për arratisjen dhe po punon për arrestimin e tij. Sipas policisë, kjo nuk është hera e parë që persona të rrezikshëm, lihen në “arrest shtëpie”, duke u dhënë mundësinë e arratisjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›