E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohen nga pakujdesia dy ushtarë të KFOR-it



ELBASAN - Dy ushtarë të KFOR-it me shtetësi italiane janë aksidentuar dje teksa udhëtonin në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd. Mjeti i tyre, me targat e misionit paqeruajtës të Kosovës, i cili ishte pjesë e një autokolone me makina ushtarake që po kalonte tranzit nga Shqipëria, ka dalë nga rruga duke shkaktuar plagosjen e tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se të lënduarit janë shtetasit Pelegrina Kapco 23 vjeç dhe Pietro Januçi, 31 vjeç, të cilët janë nga Italia. Të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin e Librazhdit janë nisur drejt Italisë për trajtim më të specializuar. Sipas mjekëve, të aksidentuarit kanë pësuar mjaft fraktura. Ata kryenin shërbimin e tyre në Kosovë dhe po vinin në Shqipëri me destinacion Portin e Durrësit. Por rreth orës 13:00, në aksin nacional Përrenjas-Librazhd, në vendin e quajtur kthesa e Pishkashit, automjeti tip kamion i forcave ushtarake të KFOR-it ka dalë nga rruga. Mësohet se automjeti që është aksidentuar gjendej në mes të autokolonës dhe si shkak i aksidentit mund të ketë qenë mungesa e vëmendjes së drejtuesit të makinës si dhe rruga në terren të thyer malor.

I jep fund jetës 27-vjeçari me depresion, ishte i papunë

DURRËS – Edhe një 27-vjeçar i papunë ka zgjedhur vetëvrasjen si alternativë pasi vuante prej disa kohësh nga depresioni. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se pasditen e së mërkurës, rreth orës 15.00, është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasi A.S., lindur dhe banues në komunën e Katundit të Ri. Ai ka pasur shenja helmimi. Megjithë ndihmën mjekësore që ka marrë, 27-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut shprehet se “grupi hetimor kreu veprimet e para lidhur me këtë ngjarje nga të cilat dyshohet se kemi të bëjmë me një rast vetëhelmimi me fostoksinë”. Po ashtu, nga verifikimet paraprake dhe dëshmitë e familjarëve rezultoi se 27-vjeçari vuante prej disa vitesh nga depresioni për të cilin edhe mjekohej në vazhdimësi. Sipas zëdhënëses Ornela Cako, materialet procedurale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit. Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e personave të sëmurë me depresion, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i japin fund jetës në gjendje dëshpëruese. Ndërkohë, ka mangësi të theksuara në sektorin e shëndetësisë për trajtimin e rasteve të tilla.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›