Greqia publikon datat e lejeve të fundvitit për emigrantët
Ministria greke e Rendit ka publikuar dje një qarkore, sipas së cilës të gjithë emigrantët e huaj që punojnë dhe jetojnë në Greqi të mund të vizitojnë atdheun e tyre me rastin e festave të fundvitit. Qarkorja është nënshkruar nga ministri i Brendshëm, Prokopis Pavlopulos, dhe është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Rendit. Kështu, emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi u lejohet dalja drejt atdheut të tyre dhe hyrja në Greqi prej datës 15.11.2008 deri në datën 31.01.2009. Kjo vetëm në rastet kur janë larguar nga Greqia brenda datës së përcaktuar. Sipas kësaj qarkoreje të drejtën për të lëvizur e kanë të gjitha ata emigrantë të vendeve të treta që disponojnë leje qëndrimi, e cila nuk ka skaduar.
Ndërsa duke iu referuar kategorive kryesore të emigrantëve, ata që janë me leje qëndrimi që i ka skaduar afati do të duhet që gjatë hyrje-daljes së tyre të disponojnë: pasaportën e vlefshme ose dokument tjetër udhëtues që njihet nga shteti grek. Lejen e qëndrimit që ka skaduar si dhe vërtetimin e tipit Α (me ngjyrë blu), sipas të cilit ai ka dorëzuar të gjitha dokumentet për rinovimin e lejes së qëndrimit, para skadimit të saj. Këtu përfshihen të gjitha kategoritë si, emigrantët me punë të përhershme, ata me punë të përkohshme, ata që punojnë në bizneset e tyre të pavarura, studentët, emigrantët që kanë marrë bashkimin familjar, bashkëshortë të shtetasve grekë etj. Ndërsa për shtetasit shqiptarë që kanë bërë kërkesë për herë të parë për leje qëndrimi duhet edhe ata të kenë: Pasaportën e vlefshme ose dokument tjetër udhëtues që njihet nga shteti grek si dhe vërtetim të tipit Α (me ngjyrë blu) që fakton se janë dorëzuar të gjitha dokumentet për rinovimin e lejes së qëndrimit,para skadimit të saj. Për emigrantët shqiptarë, të cilët kanë kërkuar bashkim familjar, punësim ose studime duhet: pasaportë e vlefshme ose dokument tjetër udhëtues që njihet nga shteti grek; vizat që kanë marrë për këto arsye nga organet greke, si dhe vërtetimin që kanë dorëzuar dokumentet për lejen e parë të qëndrimit.
14 Nentor 2008