Bashkia përuron shkollën 9-vjeçare “Pal Engjëlli” në Tufinë
Përurohet në Tufinë shkolla 9-vjeçare “Pal Engjëlli”, e cila do të jetë në dispozicion të fëmijëve të periferisë. Kjo shkollë do të jetë për të gjithë nxënësit, familjet e të cilëve janë në nevojë për shkak të kushteve të vështira social-ekonomike. I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe kryebashkiaku Edi Rama, i cili përshëndeti të gjithë nxënësit për këtë vit të ri shkollor. Bashkia e Tiranës shpërndau paketa didaktike dhe mjete ndihmëse për programin mësimor-edukativ për këtë komunitet nxënësish, të cilët ndodhen në vështirësi sociale dhe ekonomike. Shkolla “Pal Engjëlli” shtrihet në rrugën “Myslym Keta”, në territorin e Njësisë Bashkiake Nr.4 dhe është ndërtuar me standardet europiane që ofrohen për sistemin parauniversitar në kryeqytet. Kështu, shkolla është pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme mësimore, për një zhvillim normal të procesit mësimor. Godina është trekatëshe dhe ka një sipërfaqe ndërtimi prej 4800 m2 dhe një kapacitet prej 800 nxënësish. Shkolla e re ka mjedise dhe hapësira të mjaftueshme për studim, aktivitete sportive, argëtim etj. Numri i klasave që u janë vënë në dispozicion fëmijëve është 32. Shkolla është pajisur gjithashtu me kabinete e laboratorë me sipërfaqe 320 m2, sallë polifunksionale me sipërfaqe 170 m2, me një palestër me sipërfaqe 240 m2, mjedise ndihmëse, asistencë mjekësore etj.
Kalo: ”35 mijë persona vuajnë nga diabeti”
Autoritetet shëndetësore raportojnë se mbi 35 mijë persona në të gjithë vendin vuajnë nga sëmundja e diabetit. Vitet e fundit, numri i të prekurve nga kjo sëmundje ka ardhur në rritje, duke prekur edhe moshat e vogla. Prof. dr. Isuf Kalo bën të ditur se me rekomandim të Konfederatës Botërore të Diabetit, mjekët e këtij profesioni janë fokusuar te diabeti i fëmijëve dhe adoleshentëve. Sipas tij, është vërejtur se në 10-vjeçarin e fundit shpeshtësia e shfaqjes së diabetit te fëmijët po rritet në një formë që nuk pritej dhe që nuk ishte vënë re më parë. Shfaqja e formës së diabetit te fëmijët është e tipit 2, që do të thotë se është i formës së të rriturve. Specialistët deklarojnë se shkaku është i paqartë, por ka një lidhje të padiskutueshme me obezitetin, pasi këta janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të diabetit, të tensionit, të sëmundjeve kardiovaskulare të hershme etj. Elementët që ndikojnë në përhapjen e tij janë diagnostikimi jo i mirë, urbanizimi i shpejtë i popullsisë, lëvizja nga zonat rurale drejt atyre urbane, stili jo i shëndetshëm i jetës etj. Diabeti është në dy forma: në formën e atyre që nuk kanë insulinë, pra nuk u prodhon pankreasi insulinë dhe rritja e sheqerit i çon në komplikacion; ndërsa tipi 2 shfaqet kryesisht te të rriturit në moshat mbi 40 vjeç, që janë mbi peshë.
Duro: “Certifikimi i njohurive edhe për tregun e punës”
Formimi profesional i personave të papunë është vendosur në qendër të vëmendjes nga specialistët e Ministrisë së Punës.
Këshilli Kombëtar i Punës, nën drejtimin e ministrit Anastas Duro, diskutoi për situatën dhe problematikat e formimit profesional dhe perspektivat në industrinë e veshjeve.
Në këtë mbledhje u diskutuan edhe problemet që lidhen me projektligjin “Për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve”, që kërkon domosdoshmërinë për ndryshime në Kodin e Punës. Këshilli Kombëtar i Punës trajtoi problemin e domosdoshmërisë së rishikimit dhe ndryshimit të Kodit të Punës, për t’iu përgjigjur zhvillimit social-ekonomik të vendit, por edhe detyrave të lëna nga organizmat ndërkombëtare, ndryshime që do të diskutohen në mbledhjet e ardhshme të KKP-së. Projektligji u miratua nga të gjithë anëtarët dhe tashmë pritet që të diskutohet në qeveri. Çështja e dytë që u diskutua nga anëtarët e Këshillit ishte “Manifaturimi i Veshjeve në Shqipëri”, me avantazhet, problematikat dhe sfidat me të cilat përballet sot industria e tekstileve në vendin tonë që ka peshë në ekonominë e vendit (400 subjekte, xhiro ekonomike 4 miliardë lekë, 54% të eksporteve).
14 Nentor 2008