E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kushëriri” prangos tre të rinj në Tiranë për trafik droge



Tiranë – Tre të rinj kanë rënë në pranga, një tjetër është shpallur në kërkim, ndërsa katër persona të tjerë po mbahen në vëzhgim nga efektivat e antidrogës në Tiranë. Bëhet fjalë për një punë disamujore, e cila konsistoi në shkatërrimin e një rrjeti shpërndarësish që mendohet se kanë qenë “dora e parë” e shpërndarjes së heroinës në kryeqytet. Gjatë orëve të pasdites së djeshme, specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Njësinë Operacionale pranë Policisë së Tiranës finalizuan me sukses operacionin e koduar “Kushëriri”, duke sekuestruar sasinë prej 327.4 gr. lëndë narkotike heroinë dhe 14 gr. marijuanë. Falë një pune intensive, specialistët e hetimit mundësuan goditjen në kohë pranë rrugës “Myslim Keta” duke arrestuar në flagrancë shtetasit Edison Sinani, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Elis Bashkim Shahu, 24 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë dhe Taulant Dilaver Mekollari, 22 vjeç, lindur dhe banues në Skrapar.
Arresti
Tre të rinjtë u kapën në flagrancë duke lëvizur me mjetin tip “Benz” ku kishin lëndë të llojit heroinë, të cilën po tentonin ta shisnin. Nga kontrolli i ushtruar u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 327.4 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë, 14 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë e ndarë në tri qese plastike, 1 pistoletë tip “Mini Blow”, katër aparate celulari, një automjet tip “Benz”, si dhe një peshore elektronike që shërbente për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike.
“Gjithashtu është bërë dokumentimi ligjor i autorësisë në këtë aktivitet kriminal i një shtetasi tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Ky shtetas është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, - njoftoi dje policia e shtetit.
Hetimi
Ditën e djeshme, të gjitha materialet hetimore të grumbulluara në ngarkim të tyre iu dërguan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërsa personi i katërt është shpallur në kërkim, forcat antidrogë kanë dyshime për të paktën edhe për katër të rinj të tjerë që mund të jenë pjesë e këtij rrjeti. Por për këta të rinj nuk ekzistojnë provat e nevojshme për të kryer arrestimin. Sakaq, hetuesit po punojnë për sigurimin e provave, ndërsa nuk përjashtojnë as mundësinë e arrestimit të tyre në rast të pendimit të ndonjërit prej të arrestuarve. Sipas efektivëve të antidrogës, grupi në fjalë ka qenë “baza e ushqimit” të një pjese të madhe të shpërndarësve të rrugës, pub-eve dhe lokaleve në Tiranë, ndërsa hetime të tjera po kryhen për të gjetur vendin dhe personat ku ky grup siguronte lëndën narkotike.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›