E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë, kalvari për votën e lirë



Nga Jak Ndokaj*

Kuvendi i Shqipërisë ndodhet përballë një sfide mjaft të vështirë që ka të bëjë me zgjedhjen mes instalimit të një diktature e mveshur me terma të pluralizmit dhe asaj që ka të bëjë me instalimin një herë e mirë të një sistemi real politik pluralist, i cili ngrihet mbi bazën e votës së lirë dhe të ndershme.
I gjithë opinioni politik dhe ai publik, për ditë me radhë, po shikon se si 10 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë duke zhvilluar një grevë urie, e cila ka në themel të saj jo një kredo politike personale, por vendosjen e një guri mjaft të rëndësishëm në themelet ende të brishta të demokracisë shqiptare: atë të votës së lirë dhe të ndershme. Për vite me radhë, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka vënë në pikëpyetje jo vetëm ndërtimin e sistemit real pluralist në vend, por edhe bazën ligjore të pushteteve të ngritura mbi bazën e zgjedhjeve mjaft problematike.
Greva e deputetëve nuk duhet parë thjesht si një moment politik, por si një moment i thellë reflektimi nga të gjithë faktorët politikë në vend dhe kryesisht nga dy forcat e mëdha politike. Ato nuk mund të vijojnë më tej të qeverisin mbi bazën e zgjedhjeve të komprometuara. Komuniteti ndërkombëtar është shprehur qartë në deklaratat e tij se kërkon që në procesin e reformës elektorale të përfshihen të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në vend. Pra, reforma të jetë gjithëpërfshirëse.
Nuk arrijmë të kuptojmë se përse dy partitë e mëdha janë të interesuara për të monopolizuar të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve duke eliminuar subjektet e tjera politike me peshë reale në politikën shqiptare. I vetmi shpjegim që mund të jepet është se ato kërkojnë të deformojnë votat e subjekteve të tjera politike për llogari të tyre. Ndryshe nuk ka si shpjegohet frika që ato kanë. Kemi dëgjuar këto ditë deklarata që përpiqen të zhvlerësojnë qëllimin e vërtetë të grevës. Por në këtë moment mjaft të rëndësishëm dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar se kjo grevë nuk synon thjesht sigurimin e dy vendeve të tjera në komisionet zgjedhore nga ana e PDK-së dhe e LSI-së. Kjo grevë në radhë të parë synon që t’u jepet fund praktikave të deformimit të votave të shqiptarëve. Që çdo qytetar i këtij vendi jo vetëm të jetë i lirë në votim, por edhe që vota e tij të shkojë për subjektin që ai voton. Shqipëria ndodhet përpara obligimeve të mëdha që burojnë nga anëtarësimi në NATO dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Në të dy këta procese nënvizohet domosdoshmëria e sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si kusht themelor për afrimin me familjen europiane. Por shohim se në vend që të ecet përpara në këtë drejtim, vetëm po bëhen hapa pas.
Jemi të ndërgjegjshëm që ndodhemi përballë një sfide mjaft të vështirë kur kemi parasysh edhe akordin e arritur nga dy partitë e mëdha për të thërrmuar me metoda të pandershme mozaikun pluralist në vend. Pavarësisht këtyre vështirësive, jemi të bindur se opinioni publik sa vjen dhe ndërgjegjësohet për drejtësinë e vendimit ekstrem të deputetëve për të hyrë në grevë urie. Fakt për këtë është mbështetja gjithnjë e më e gjerë që po gjen qëllimi i kësaj greve që është vota e lirë për qytetarët shqiptarë.
Ftoj deputetët e këtij parlamenti që të reflektojnë pasi sot mund të jenë xhelatët e votës së lirë, por nesër mund të jenë viktima. Me këtë rast, dua të shpreh edhe protestën time energjike ndaj një serie veprimesh të padenja të disa oficerëve të Gardës të cilët në mënyrë të verbër u janë bindur urdhrave politikë, duke i trajtuar deputetët si kriminelë dhe jo si qytetarë që meritojnë në radhë të parë t’u respektohet dinjiteti njerëzor e më pas ai parlamentar.
-----------
*Deputet

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›