Teliti: “Prokuroria kishte kohë për të vendosur nëse kam shkelur ligjet”
Laureta Rryçi
Ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti, u ka kujtuar dje prokurorëve që po hetojnë mbi rrugën “Durrës-Kukës” se kishin kohën e mjaftueshme për të dalë një konkluzion. Gjatë seancës së djeshme, ku pritej të niste dhe shqyrtimi për kundërshtimin e afateve të hetimit, mungoi prokurori i çështjes. Pas vendimit të gjykatës për të zhvilluar seancën një datë tjetër, Teliti u shpreh për mediat, edhe pse e kishte ndërmarrë këtë nismë ligjore. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, të vënë nën akuzë për abuzime me fondet për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për raportin voluminoz të ekspertëve, ku është përcaktuar vlera e dëmit shkaktuar shtetit shqiptar. Sipas burimeve nga prokuroria, vetëm pak ditë kanë mbetur që prokurori i vetëm i çështjes, Arben Kraja, të firmosë për dosjen.
Kërkesa
Gjykata e Tiranës pritej që të shqyrtonte dje kërkesën penale të bërë nga ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori juridik i kësaj ministrie, Andi Toma, në akuzë për “shpërdorim detyre”. Që të dy ish-zyrtarët kundërshtojnë zgjatjen e afateve të hetimit nga ana e prokurorisë dhe për një muaj (6 nëntor–6 dhjetor). Duke e cilësuar si të paligjshëm këtë vendim, Teliti dhe Toma iu drejtuan gjykatës, duke kërkuar ndërprerjen e hetimeve dhe zgjidhjen sa më parë të çështjes. “Sot do të paraqitem në gjykatë për të paraqitur pretendimet e mia. Prokuroria ka pasur mjaft kohë në dispozicion nga data 6 tetor deri më 6 nëntor për të vendosur për dosjen. Nëse e çmon të nevojshme që ne jemi fajtorë, le ta dërgojë për gjykim dhe përballemi”, - deklaroi Teliti. Zyrtarisht prokuroria deklaron se është brenda afateve ligjore për hetimet e dosjes “Durrës-Kukës”.
Raporti
Tre ekspertë inxhinierë kanë përcaktuar vlerën reale të ndërtimit të aksit rrugor “Rrëshen-Kalimash”. Në raportin e dorëzuar në prokurori më datën 8 tetor 2008, ekspertët theksonin se investimi në total për “Rrëshen-Kalimash” kap shifrën e 1.3 miliardë eurove. Për raportin ku janë renditur shkeljet e kryera, asnjëri prej tre ish-zyrtarëve të Transporteve të vënë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” nuk ka dhënë shpjegim. Në bazë të ligjit, të pandehurit nuk janë të detyruar ligjërisht të japin shpjegime.
14 Nentor 2008