Tragjedia, lirohet nga paraburgimi arkitekti dhe ekskavatoristi i firmës
GJIROKASTËR – Ekskavatoristi dhe arkitekti i firmës së ndërtimit që ishte në qendër të hetimeve për tragjedinë e Gjirokastrës kanë lënë mjediset e paraburgimit dhe do të hetohen në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerët i janë bashkëngjitur 5 të akuzuarve dhe ndodhen në qelitë e Burgut të Bënçës. Burimet zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër dhanë të enjten masën e sigurisë edhe për katër personat e vënë nën akuzë ku Jani Ndriço dhe Njazi Çobani do të hetohen në gjendje të lirë. Ndërsa burimet e policisë vendore pohojnë se është vetëdorëzuar dje në mëngjes edhe pronari tjetër i shoqërisë së ndërtimit “Arti Shpk”, Aristotel Haxhi, i cili ishte shpallur person në kërkim që prej ditës së hënë. Pas tri ditësh pritet që të jepet masa e sigurisë ndaj tij nga trupi gjykues që ka marrë në dorë çështjen.
Procesi
Trupi gjykues dha dje "arrest me burg" për dy të ndaluarit, që dyshohen përgjegjës për shembjen e pallatit në lagjen "11 Janari" në qytetin e Gjirokastrës, me pasojë tri viktima, ndërkohë dy të tjerë do të gjykohen në gjendje të lirë. Vendimi u mor nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, i cili për katër orë shqyrtoi dosjet penale të depozituara nga prokuroria në ngarkim të katër të dyshuarve. Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, i cili akuzohet për "shpërdorim detyre" dhe Thanas Llahana, inxhinier gjeolog që akuzohet për veprën penale "shkelje e rregullave në punë", do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg deri ditën e gjykimit. Ndërsa Jani Ndrico, ekskavatorist në firmën "ARTI sh.p.k" dhe Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “ARTI shpk”, të dy të akuzuar për "shkelje të rregullave në punë", do të gjykohen në gjendje të lirë. Dy ditë më parë, pesë prej personave të ndaluar për këtë çështje morën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe dje ata u dërguan në mjediset e Burgut të Bënçës në Tepelenë.
Vetëdorëzimi
Presioni në rritje nga policia dhe komuniteti ka detyruar pronarin tjetër të firmës së ndërtimit “Arti Shpk” që të dorëzohet në polici. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, të cilat pohojnë se dy ditë më parë, rreth orës 23.30, shtetasi Aristotel Haxhi është paraqitur në mjediset e komisariatit. Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai pohon se ishin marrë të gjitha masat për ndalimin e tij. Madje janë kryer një sërë kontrollesh në të gjithë territorin e qarkut. Ndaj Haxhit ishte lëshuar urdhërndalimi që një ditë pas shembjes së ndërtesës. Mullai sqaron se 40-vjeçari, lindur dhe banues në Gjirokastër, duke parë presionin gjithnjë në rritje të policisë për kapjen e tij dhe pamundësinë për t’u larguar është vetëdorëzuar. Ai akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”.
Mesditën e së dielës, më 9 nëntor, një pallat 5-katësh në lagjen '11 Janari' në qytetin e Gjirokastrës u shemb pjesërisht, duke shkaktuar vdekjen e tre personave, ndërsa tre të tjerë u plagosën. Nga hetimet e deritanishme rezulton se pallati 5-katësh, i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar dhe janë vënë nën hetim 10 zyrtarë dhe punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri.
PERSONAT NËN HETIM
1. Alfred Mamani, 49 vjeç, shef i Urbanistikës në Bashkinë e qytetit. Akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndodhet në “burg pa afat”.
2. Admir Shehaj, 30 vjeç, me detyrë përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit. Akuzohet për “Shpërdorim detyre” , ndodhet në “burg pa afat”.
3. Afërdita Papamihali, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës. Akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndodhet në “burg pa afat”.
4. Jani Ndriço, 45 vjeç, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k.”, akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave në punë”. Hetim në gjendje të lirë.
5. Thanas Llahana, 58 vjeç, me profesion inxhinier gjeolog. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”.
6. Njazi Çobani, 45 vjeç, me profesion arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”. Hetim në gjendje të lirë.
7. Luan Bufi, 58 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi i “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”. Ndodhet në “burg pa afat”.
8. Sotiraq Janora, 43 vjeç, president dhe drejtues teknik i “Arti” sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”
9. Gjergji Meçe, 42 vjeç, me profesion inxhinier zbatues pranë “Arti sh.p.k.”. Akuzohet për “Shkelje të rregullave në punë”, ndodhet në “burg pa afat”.
10. Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”. U vetëdorëzua. Pritet të jepet masa e sigurisë.
Box 1
Bime: “Verifikim për të gjitha ndërtesat e pas viteve ‘90”
GJIROKASTËR – Që nga dita e djeshme ka nisur puna për të verifikuar të gjitha ndërtimet e bëra në qytetin e Gjirokastrës pas viteve 1990. Një fakt i tillë është pohuar nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. “Tragjedia ishte një mësim i madh për ne”, - është shprehur Bime teksa ka lançuar komisionin më të ri për inspektimin e ndërtimeve. Janë 10 specialistë, punonjës të Bashkisë, që përbëjnë këtë grup pune. Pesë ditë pas shembjes së pallatit 5-katësh, ku humbën jetën tre persona, Bashkia e Gjirokastrës ka ngritur një grup pune që do të merret me kontrollin e të gjitha godinave të reja që janë ngritur në këtë qytet. Kontrolli ka për qëllim nxjerrjen e konkluzioneve mbi gjendjen e ndërtimeve. Po kështu do të hapen dosjet e studimeve gjeologjike të tyre. Grupi i punës kryesohet nga nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Vangjel Muço.
Ndërkohë, 14 familjet që mbeten të pastreha nga tragjedia vazhdojnë të qëndrojnë në mjediset e një hoteli. Në ndihmë të tyre ka ardhur Kryqi i Kuq, i cili dje ka shpërndarë nga 17 mijë lekë për çdo familje si dhe disa pako me ushqime.
14 Nentor 2008