E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohen për vdekje bashkëshortët

28/03/2005  Plagoset edhe një grua me fëmijën

KRUJË – Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në aksin rrugor Laç - Fushë Krujë. Dy bashkëshortë vdiqën, ndërsa dy të tjerë, një grua dhe një fëmijë, mbetën të plagosur, në këtë aksident.

Burime nga policia rrugore e Krujës, bënë të ditur për ngjarjen se ajo ka ndodhur rreth orës 14.40, pranë fshatit Derven, 3 km lag Fushë Krujës. Automjeti “Benz” me targë TR 5547 J, që udhëtonte drejt Fushë Krujës, ka goditur nga prapa furgonin me targë BZ 1009 A, i cili drejtohej nga Fatmir Zuna dhe që udhëtonte në të njëjtin drejtim.

Burimet bënë të ditur se, nga përplasja e fortë ka mbetur e vdekur në vend 52-vjeçarja Qamile Dervishi, ndërsa bashkëshorti i saj, Sulejman Dervishi, 56-vjeç, i cili po drejtonte autoveturën tip “Benz”, ka vdekur disa minuta më vonë, ndërsa po transportohej për në spital.

Nga përplasja kanë mbetur të plagosur gjithashtu edhe një grua me një fëmijë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, ndërsa mësohet se gjendja e tyre shëndetësore në spitalin ushtarak të Tiranës, është jashtë rrezikut për jetën.

Ekspertët e policisë rrugore po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit, që mori jetën e dy bashkëshortëve nga Tirana.

Më se një herë, ky aks është bërë burim aksidentesh automobilistike, ku nuk kanë munguar edhe viktimat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›