E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, besimtarët gdhihen në kishë

28/03/2005  Katolikët, tradita e festimit të pashkëve, nga mesha, vezët me ngjyra, qingji në hell dhe deri te kreshma

Mungojnë vizitat e politikanëve dhe urimet e qeveritarëve

Besimtarët katolikë janë gdhirë në kishë duke lavdërur Zotin. Si çdo vit nuk kanë munguar as politikanët që i përkasin kësaj feje. Ndërsa Presidenti Moisiu ka qenë në kishën e Rrëshenit të shtunën mbrëma, Kryeministri Nano ka qenë në Turqi për të parë ndeshjen e futbollit, Turqi-Shqipëri, kështu që vizitat e urimit të politikanëve pranë njerëzve të hierarkisë katolike kanë qenë të vakta.

Përgatitjet

Dje në mëngjes besimtarët kanë kërcitur vezët me njëri – tjetrin duke thënë: Krishti u ngjall. Ndërkohë amvisat kanë bërë gati mishin e qengjit që sipas traditës duhet të piqet në hell, ndërsa burrat kanë zgjedhur nga vera më e mirë. Sikudnër e kanë traditë dhe myslymanët, edhe katolikët apo ortodoksët të djelën dhe gjatë javës ndajnë mish dhe ushqime të tjera për familjet e varfëra.

Mesha dhe vezët

Por, festimi ka nisur që të shtunën mbrëma, kur mijëra besimtarë me qirinj në dorë kanë mbushur pjesën anash Piramidës, përball Kishës qëndrore. Një pjesë tjetër kanë mbushur sheshin para kishës më të vogël, por më të vjetër Zemra e Krishtit, në rrugën e Kavajës. Më pas dje në mëngjes u mbajt mesha për të gjithë besimtarët. Por, ndërkohë parapërgatijet kanë nisur që një javë më parë. Të premten e zezë sipas zakonit shkohet në varreza e nderohen të vdekurit, ndërsa shtunën bëhen vezët. Ndryshe nga ortodoksët që i bëjnë të gjitha vezët në ngjyrë të kuqe, katolikët i bëjnë me ngjyra të ndryshme. Ato zjehen në ujë, të cilit i hidhet ngjyrë e kuqe dhe më pas lyhen me vaj. Boja dhe vaji bënë që të mbyllen poret e lëvores dhe veza të mos oksidohet, të mos prishet. Një nga këto vezë mbahet gjatë gjithë vitit dhe në pashkët e ardhshmne hidhet në det, në ujë të rrjedhshëm, të pastër, disa vende e kanë zakon ta groposin në një kopësht me lule, disa të tjerë e vendosin në rrënjën e një trëndafili.

Kreshma

Ndërkohë shumë njerëz për pashkë mbajnë kreshëm dhe kanë futur mish e vezë në gojë vetëm dje. Kreshma sikundër dhe agjërimi për muslymanët mbahet 40 ditë. Kristianët hanë vetëm perime dhe fruta dhe nuk duhet të fusin në gojë mish dhe produkte të tij, gjalp, djath dhe qumësht.

Historia

Ringjallja e Krishtit, ringjallja e njerëzimit

E gjitha ndodhi herët në mëngjesë. Maria Magdalenë dhe gratë tjera shkuan te varri ku e kishin vendosur Jezusin që, sipas dokes, ta lyenin me vajra trupin e Tij. Rrugës bisedonin mes veti edhe për vështirësinë për ta rrokullisur gurin e madh në hyrje të varrit. Derisa po bisedonin iu afruan varrit dhe në afërsi të tij panë se guri ishte rrokullisur. U frikësuan dhe nuk mund të besonin se dikush të ketë hyrë në varrë para tyre. Hynë brenda dhe panë se trupi i Jezusit nuk ishte aty. Të trishtuara dhe të habitura menduan se dikush e kishte vjedhur trupin e Jezusit. Porse, në dalje engjëjt të veshur në të bardhë lajmruan se Jezusi është ringjallur, dhe se Ai nuk gjendet më në mesin e të vdekurve, por në mesin e të gjallëve. Maria Magdalenë dhe gratë tjera shkuan dhe lajmruan apostujve, Simon Petrit dhe Gjonit. Këta shkuan te varri për të vërtetuar dëshminë e Marisë Magdalenë, dhe u bindën se vërtetë varri ishte i zbrazët.

Kjo është dëshmia, e shkurtë, e vërtetë që tregohet nga apostujt ungjilltarë për ngjalljen e Jezusit. Dhe jo vetëm kjo: më vonë edhe do ta shohin Jezusin të ringjallur. Ai do të hajë dhe pijë me ta, do ta prekin Atë për t’iu treguar se vërtetë është i njëjti Jezus që kishte jetuar me ta para se të vdiste në kryq, dhe ai i cili qe varrosur por tani është përsëri në mesin e tyre i ringjallur, me trup të përlavdëruar. Dëshmitë e apostujve do të jenë të pranishme gjatë gjithë predikimit mbi personin e Jezu Krishtit në mbarë botën.

Në Veprat e apostujve, Pjetri do të dëshmojë tërë jetën e Jezusit, veprën e tij shpërblimpruese, vdekjen në kryq dhe ringjalljen. Vazhdimësia e tregimit të tij është një ngjarje më se e vërtetë dhe historike që e kanë përshkruar edhe historianë tjerë jo të krishterë.

Ringjallja e Jezusit është ngjarje historike që ka ndërruar rrjedhën e botës dhe të mbarë njerëzimit. Ringjallja është fillim i një jetë të re, një jetë e fitores.

Pa ringjallje nuk do të kishte kuptim mishërimi i Fjalës, nuk do të kishtë kuptim feja jonë e krishterë, nuk do të kishte kuptim jeta në përgjithësi.

Ne sot që e kremtojmë ngjalljen e Jezusit, nuk e kremtojmë vetëm Atë por edhe ringjalljen tonë bashkë me Krishtin, sepse Krishti sipas Biblës ka thënë, nëse besojmë në të do të jemi bashkringjallës me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›